Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” I DYTI NË NIVEL VENDI NË RANGIMIN KOMBËTAR TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE

Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, prof. dr. Armand Krasniqi, së bashku me prorektoren për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje Studentore, prof. ass. dr. Alma Shehu Lokaj, si dhe prorektoren për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, morën pjesë në prezantimin e Rangimit Kombëtar të Universiteteve Publike në Kosovë, të hartuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

Sipas rezultateve të publikuara, Universiteti “Haxhi Zeka” është renditur në vendin e dytë në nivel vendi, duke shënuar një sukses të veçantë dhe duke dëshmuar progresin e vazhdueshëm institucional në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Rangimi është mbështetur në një metodologji të qartë dhe indikatorë të matshëm, të cilët përfshijnë:

  1. Transparencën institucionale,
  2. Barazinë gjinore,
  3. Raportin student–staf,
  4. Suksesin në akreditim, dhe
  5. Justifikimin e titujve akademikë.

Këto tregues shërbejnë si standarde objektive për të vlerësuar performancën dhe cilësinë e universiteteve publike në Kosovë.

Në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti, rektori i UHZ-së, prof. dr. Armand Krasniqi, falënderoi ORCA-n për punën e kryer dhe theksoi rëndësinë e rangimit si instrument orientues për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në vend. Ai, ndër të tjera, sugjeroi që në llogaritjen e indikatorëve të vlerësimit të tregohet kujdes i posaçëm në raport me numrin e personelit akademik të institucioneve të arsimit të lartë publik në Kosovë, sidomos kur bëhet fjalë për publikimet shkencore, në mënyrë që rezultatet të pasqyrojnë realisht kapacitetet dhe kontributin e çdo institucioni.

Ky rezultat dhe pjesëmarrja në këtë ngjarje nënvizojnë angazhimin e Universitetit “Haxhi Zeka” për të qenë pjesë aktive e iniciativave kombëtare që synojnë ngritjen e cilësisë, transparencës dhe llogaridhënies në arsimin e lartë në Kosovë.

Idi na vrh