Më 26 dhe 27 shkurt 2025, studentët se bashku me stafin akademik nga Fakulteti i Biznesit, Universiteti Haxhi Zeka, realizuan një vizitë studimore në Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Turizmit, Universiteti i Splitit. Kjo vizitë kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me metodat e mësimdhënies, sistemet e vlerësimit të njohurive dhe burimet në dispozicion të studentëve.
Në këtë vizitë morën pjesë Dekani i Fakultetit të Biznesit, Prof. Dr. Halit Shabani, si dhe profesorët Prof. Dr. Ibish Mazreku, Prof. Dr. Vehbi Ramaj dhe Prof. Ass. Dr. Valdrin Misiri, të cilët kishin mundësinë të diskutojnë me kolegët e tyre nga Universiteti i Splitit mbi praktikat akademike dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm.
Gjatë ditës së parë, delegacioni mori pjesë në prezantime mbi organizimin e ligjëratave dhe vlerësimin e studentëve, një punëtori mbi përdorimin e literaturës dhe qasjen në materialet studimore, si dhe një diskutim mbi marrëdhënien mes profesorëve dhe studentëve. Gjithashtu, pjesëmarrësit kishin mundësinë të vizitojnë kampusin e Universitetit të Splitit dhe të njihen nga afër me ambientet akademike dhe infrastrukturore të institucionit.
Në ditën e dytë, fokusi ishte në procesin e përgatitjes dhe mbrojtjes së punimeve të diplomës në nivelin master, aktivitete praktike dhe simulime të mësimdhënies, si dhe krahasimin e praktikave akademike midis dy institucioneve. Vizita u përmbyll me një sesion vlerësimi dhe diskutimi mbi mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet stafit akademik dhe studenteve t Fakultetit të Biznesit dhe stafit akademik të Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Turizmit, Universiteti i Splitit.
Kjo vizitë studimore përfaqësoi një hap të rëndësishëm në fuqizimin e mobilitetit akademik dhe shkëmbimit të njohurive, duke u ofruar studentëve dhe profesorëve mundësi për avancimin e metodave mësimore dhe aftësive kërkimore.








