Në kuadër të projektit “Benzoatet dhe sorbatet në konservimin e ushqimeve të fermentuara: toksiciteti, implikimet ekonomike dhe ndikimi mjedisor”, të përkrahur nga Universiteti i Pejës, dhe të udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Indrit Loshi nga Fakulteti i Agrobiznesit dhe Prof. Ass. Dr. Elvis Elezaj nga Fakulteti i Biznesit, është realizuar një vizitë studimore disa ditore në qendrën inovative dhe inkubatorin e biznesit BIOCENTER në Zagreb të Kroacisë.Delegacioni u mirëprit nga drejtoresha e institutit, Dr. Marija Lovrić, si dhe nga shefja e kërkimeve shkencore, Dr. Anita Sporec. Në këtë vizitë morën pjesë edhe studentët e nivelit master, Blend Gashi dhe Endrit Hajrizaj, nga programi “Sistemet e Qëndrueshme të Prodhimit të Ushqimit” në Fakultetin e Agrobiznesit.
Gjatë vizitës u nënshkrua marrëveshja pesëvjeçare e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me synim forcimin e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor, inovacionit dhe ndërmarrësisë. Po ashtu, studentët patën mundësinë të ndjekin nga afër analizimin e produkteve të ndryshme me metoda të avancuara laboratorike duke u trajnuar njëkohësisht në teknika moderne laboratorike dhe praktika bashkëkohore të analizave shkencore.
Gjatë takimeve u diskutuan edhe mundësitë e bashkëpunimit në projekte të ardhshme, shkëmbimi i përvojave në menaxhimin e inkubatorëve, aspektet analitike dhe të ndërmarrësisë, si dhe praktikat më të mira institucionale ndërmjet dy institucioneve.



