Në kuadër të projektit Sustainnovate, gjatë datave 17–19 qershor 2026, përfaqësues të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë realizuan një vizitë studimore në Universitetin e Splitit, Kroaci.
Pjesë e kësaj vizite ishin Prof. Asoc. Dr. Fisnik Morina, Prof. Ass. Dr. Elvis Elezaj dhe Prof. Ass. Dr. Valdrin Misiri, si anëtarë të ekipit të projektit Sustainnovate.
Gjatë qëndrimit në Universitetin e Splitit, anëtarët e projektit u pritën nga Prof. Asoc. Dr. Željko Mateljak, Prodekan për Çështje Biznesore dhe Marrëdhënie Industriale në Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Turizmit, si dhe nga znj. Nikolina Barada, menaxhere e Inkubatorit të Bizneseve në Universitetin e Splitit.
Qëllimi kryesor i vizitës ishte njohja nga afër me praktikat më të mira të Universitetit të Splitit në fushën e inkubimit të ideve biznesore, zhvillimit të bashkëpunimit universitet–industri dhe krijimit të mekanizmave mbështetës për studentët, stafin akademik dhe komunitetin e biznesit. Këto praktika janë në përputhje të drejtpërdrejtë me objektivat kryesore të projektit Sustainnovate, i cili synon të kontribuojë në fuqizimin e kapaciteteve institucionale të UHZ-së për inovacion, ndërmarrësi të qëndrueshme dhe lidhje më të ngushtë me industrinë.
Në kuadër të takimeve u diskutuan gjithashtu mundësitë për bashkëpunime të ardhshme ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Universitetit të Splitit, veçanërisht në fushën e projekteve të përbashkëta, shkëmbimit akademik, zhvillimit të ideve inovative dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Kjo vizitë studimore paraqet një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të UHZ-së dhe zhvillimit të praktikave të qëndrueshme për mbështetjen e inovacionit, ndërmarrësisë dhe partneritetit me sektorin privat.


