Me ftesë të dekanit të Fakultetit të Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka”, Prof. Hysen Nimani, u zhvillua një takim me drejtorët e shkollave profesionale të muzikës, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve arsimore në këtë fushë.
Në takim morën pjesë drejtori i shkollës së muzikës “Lorenc Antoni”, z. Vesel Krasniqi, drejtoresha e shkollës “Halit Kasapolli”, znj. Rreze Kastrati, si dhe drejtori i shkollës “Faik Sylka”, z. Naser Dula. Ata diskutuan për harmonizimin e kurrikulës, sfidat me të cilat përballen pedagogët e muzikës dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Edhe pse për arsye personale mungoi drejtori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, z. Kastriot Sada, ai shprehu mbështetjen e tij për këtë iniciativë.
Takimi i radhës do të mbahet në prill, ku pritet të marrin pjesë të gjitha shkollat dhe fakultetet profesionale të muzikës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e mëtejshëm të arsimit muzikor në vend.
