Rangimet e institucioneve të Arsimit të Lartë zakonisht shihen si lista pozicionesh që merren si të mirëqena, pa u pyetur mjaftueshëm se çfarë qëndron pas atyre numrave. Sa personel ka një institucion i arsimit të lartë? Sa është cilësia reale e atij personeli? Dhe a është e drejtë të krahasohen institucione me madhësi dhe kapacitete krejtësisht të ndryshme vetëm përmes një renditjeje lineare?
Pikërisht nga këto dilema ka lindur ndërtimi i një modeli të ri rangimi për universitetet, i bazuar në të dhënat e AD Scientific Index dhe i implementuar përmes një platforme analitike të dedikuar. Ky model nuk synon të zëvendësojë renditjet ekzistuese, por të sfidojë mënyrën sipërfaqësore se si ato lexohen dhe interpretohen.
Në vend që renditja të merret si qëllim në vetvete, modeli i ri vendos theksin te procesi dhe konteksti. Ai analizon performancën akademike duke e lidhur rezultatin me burimet reale të institucionit. Një institucion i Arsimit të Lartë që arrin pozita të larta me personel të kufizuar nuk mund të trajtohet njësoj me një Institucion të Arsimit të Lartë që ka shumëfish kapacitete njerëzore. Megjithatë, pikërisht kjo ndodh shpesh në renditjet tradicionale.
Një tjetër problem i qasjeve klasike është fokusi i tepruar në sasi. Numri i personelit, numri i publikimeve apo madhësia institucionale shpesh mbizotërojnë ndaj pyetjes thelbësore: sa cilësor është kontributi shkencor? Modeli i ri e adreson këtë duke analizuar densitetin e personelit në nivelet më të larta të rangimit shkencor, duke e zhvendosur vëmendjen nga volumi drejt cilësisë reale.
Për më tepër, analiza nuk mbetet e mbyllur në kufijtë lokalë. Pozicionimi ndërkombëtar përfshihet për të ofruar një pasqyrë më të gjerë dhe për të shmangur vetëkënaqësinë që shpesh krijohet nga krahasimet e ngushta brenda një tregu të vogël akademik.
Këta elementë kombinohen në një rezultat të vetëm, i cili nuk pretendon të jetë i përsosur, por ofron një pasqyrë më të drejtë dhe më të sinqertë të realitetit akademik. Rezultatet e para janë domethënëse: sipas kësaj analitike, Univerzitet "Hadži Zeka"“ renditet i dyti, duke treguar se performanca e lartë nuk është domosdoshmërisht funksion i madhësisë, por i efikasitetit dhe cilësisë.
Ky rezultat duhet parë më pak si arsye për vetë-lavdërim dhe më shumë si thirrje për reflektim institucional. Ai tregon se kur analiza bëhet me metoda më të balancuara, dalin në pah institucione që zakonisht mbeten në hije të renditjeve absolute. Njëkohësisht, ai ngre pyetje legjitime mbi mënyrën se si matet dhe komunikohet performanca e Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend.
Në fund, debati nuk duhet të jetë se cili Institucion i Arsimit të Lartë është i pari apo i dyti, por se çfarë kriteresh përdorim për ta quajtur një institucion të suksesshëm. Pa këtë reflektim, çdo renditje rrezikon të mbetet vetëm një numër, pa domethënie reale për zhvillimin e arsimit të lartë.


