Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” ORGANIZON PUNËTORINË PËR ZHVILLIMIN E KURRIKULËS SË INTEGRUAR

Universiteti “Haxhi Zeka” ëshët duke mbajtur punëtorinë njëditore me temën “Zhvillimi i Kurrikulës së Integruar”, e cila ka mbledhur drejtuesit dhe stafin akademik të njësive akademike në një proces të rëndësishëm reflektimi dhe planifikimi për avancimin e cilësisë së programeve studimore. Punëtoria u përgatit nga prof.asoc.dr. Vlora Berisha dhe Prof.asoc.dr. Behrije Ramaj, përkatësisht koordinatore dhe zv.koordinatore për Kurrikulë të Integruar në universitetin “Haxhi Zeka”.

Punëtoria u hap nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë strategjike të reformimit dhe integrimit të kurrikulave universitare dhe nevojën për përshtatjen e tyre me zhvillimet bashkëkohore në arsimin e lartë, tregun e punës dhe standardet evropiane.

Gjatë sesioneve të punës, pjesëmarrësit diskutuan konceptin e kurrikulës së integruar, analizuan rezultatet e të nxënit në nivel programesh studimore dhe fakultetesh, si dhe shqyrtuan modele ndërkombëtare të organizimit të kurrikulave. Vëmendje e veçantë iu kushtua harmonizimit të rezultateve të të nxënit, identifikimit të kompetencave të përbashkëta dhe krijimit të një qasjeje më të koordinuar ndërmjet njësive akademike.

Përmes punës në grupe, përgjegjësit e programeve analizuan rezultatet ekzistuese të programeve studimore, u identifikuan përputhjet dhe mundësitë për harmonizim, si dhe kontribuan në përcaktimin e kompetencave që duhet të karakterizojnë të diplomuarit e Universitetit “Haxhi Zeka”, pavarësisht fushës së studimit.

Në pjesën e dytë të punëtorisë do të diskutohen mundësitë për zhvillimin e lëndëve të përbashkëta ndërdisiplinore dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet fakulteteve, me qëllim krijimin e një eksperience më të integruar dhe më relevante të të nxënit për studentët. Gjithashtu, do të trajtohen aspektet që lidhen me planifikimin e angazhimit të stafit akademik dhe nevojat për mbështetje në fazat e ardhshme të implementimit të modelit të ri.

Punëtoria do të vazhdojë me rekomandime konkrete dhe dakordim për hapat e ardhshëm, duke konfirmuar përkushtimin e Universitetit “Haxhi Zeka” për zhvillimin e një kurrikule moderne, fleksibile dhe të orientuar drejt kompetencave, e cila përgatit studentët për sfidat e ekonomisë dhe shoqërisë së dijes.

Idi na vrh