Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Fakulteti Juridik i Universitetit Haxhi Zeka thellon ndërkombëtarizimin me Universitetin Ibn Haldun të Turqisë

Në vazhdën e vizitës zyrtare në kuadër të mobilitetit ndërkombëtar, Fakulteti Juridik i Universitetit Haxhi Zeka ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm duke nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit Akademik dhe Shkencor me Fakultetin Juridik të Universitetit Ibn Haldun në Stamboll, një nga universitetet më prestigjioze të Republikës së Turqisë.

Delegacioni i Universitetit Haxhi Zeka u prit nga Rektori i Universitetit Ibn Haldun, Prof. Dr. Atilla Arkan, i cili shprehu kënaqësinë për fillimin e këtij partneriteti dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve. Ai prezantoi Universitetin Ibn Haldun si një institucion të njohur të arsimit të lartë që ofron programe studimi në të tri ciklet: Bachelor, Master dhe Doktoratë.

Gjatë takimit, Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit Haxhi Zeka, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, falënderoi drejtuesit e Universitetit Ibn Haldun për mikpritjen e ngrohtë dhe pritjen e veçantë. Në emër të Rektorit të Universitetit Haxhi Zeka dhe të menaxhmentit të universitetit, ai shprehu mirënjohjen për gatishmërinë dhe vullnetin për të ndërtuar një partneritet afatgjatë ndërinstitucional. Njëkohësisht, ai prezantoi Universitetin Haxhi Zeka, duke veçuar zhvillimin institucional, programet studimore, aktivitetin shkencor dhe angazhimin e universitetit në procesin e ndërkombëtarizimit.

Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit Ibn Haldun, Prof. Dr. Şükrü Yıldız, dhe Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit Haxhi Zeka, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani. Të dy dekanët e vlerësuan këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve.

Marrëveshja parasheh shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, organizimin e konferencave, seminareve dhe shkollave verore, si dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta akademike.

Ky partneritet përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Universitetit Haxhi Zeka, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e arsimit juridik, rritjen e bashkëpunimit shkencor dhe zgjerimin e lidhjeve me universitete prestigjioze ndërkombëtare.