Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë është pjesë e Konferencës së 8-të Ndërkombëtare për Kontabilitet, Biznes, Ekonomi dhe Politikë – ICABEP 2026, e cila po mbahet më 25–27 maj 2026 në University of Szczecin, Poloni.
Në këtë konferencë ndërkombëtare, Universiteti “Haxhi Zeka” paraqitet si bashkëorganizator, duke dëshmuar angazhimin e tij për ndërkombëtarizim, bashkëpunim akademik dhe fuqizim të rolit të universitetit në rrjetet shkencore evropiane dhe më gjerë.
Në kuadër të konferencës, UHZ përfaqësohet nga Prof. Dr. Halit Shabani dhe Prof. Dr. Ibish Mazreku, të cilët marrin pjesë me punim.
Gjatë pjesëmarrjes në konferencë, përfaqësuesit e Universitetit “Haxhi Zeka” kanë zhvilluar disa takime të rëndësishme me partnerë ndërkombëtarë, me qëllim zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit akademik, kërkimor dhe institucional. Në veçanti, janë diskutuar mundësi të reja bashkëpunimi me University of Malta, University of Szczecin, West University of Timișoara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Këto takime kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, mobilitetin akademik, organizimin e konferencave shkencore, si dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ndëruniversitar.
Pjesëmarrja e Universitetit “Haxhi Zeka” në ICABEP 2026 përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të prezencës ndërkombëtare të universitetit, rritjes së bashkëpunimit me institucione prestigjioze akademike dhe promovimit të kërkimit shkencor nga Kosova në arenën ndërkombëtare.
Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare dhe në avancimin e cilësisë akademike e kërkimore.



