Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” DHE UNIVERSITETI TRAKYA NËNSHKRUAJNË MEMORANDUM MIRËKUPTIMI – BASHKËPUNIMI HYN NË NJË FAZË TË RE TË NDËRKOMBËTARIZIMIT

Nga marrëveshja te veprimi: Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Universiteti Trakya bashkojnë kapacitetet për projekte, dije dhe ndërkombëtarizim.

"Haxhi Zeka" University“ në Pejë mirëpriti sot një delegacion të nivelit të lartë të Universitetit Trakya nga Turqia, të kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Mustafa Hatipler. Vizita u përmbyll me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet dy universiteteve, duke krijuar bazën institucionale për një bashkëpunim të qëndrueshëm akademik, shkencor dhe ndërkombëtar.

Gjatë takimit, Rektori Hatipler prezantoi strukturën organizative dhe akademike të Universitetit Trakya, kapacitetet e tij institucionale, si dhe aktivitetet që universiteti zhvillon në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në veçanti u diskutuan përvojat dhe kapacitetet e Universitetit Trakya në fushën e bashkëpunimit ndëruniversitar, kërkimit shkencor dhe pjesëmarrjes në programe e projekte ndërkombëtare.

Rektori i "Haxhi Zeka" University“, Prof. Dr. Armand Krasniqi, prezantoi zhvillimet aktuale të UHZ-së, duke u fokusuar në aktivitetet dhe rezultatet që institucioni po realizon në tri misionet universitare: mësimdhënie, kërkim shkencor dhe kontribut në zhvillimin ekonomik e shoqëror. Ai theksoi se zgjerimi i partneriteteve ndërkombëtare dhe krijimi i bashkëpunimeve që prodhojnë rezultate konkrete për studentët dhe stafin akademik përbëjnë një nga prioritetet kryesore të zhvillimit institucional të UHZ's.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të vizitës ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit nga dy rektorët, i cili hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit në shkëmbimin e studentëve dhe stafit, projekte të përbashkëta kërkimore, aktivitete akademike dhe shkencore, si dhe në procesin e ndërkombëtarizimit të dy institucioneve.

Rektori Hatipler konfirmoi gatishmërinë që kapacitetet akademike, shkencore dhe profesionale të Universitetit Trakya të vihen në dispozicion të zhvillimit të bashkëpunimit me UHZ-në. Si hap i parë konkret, bashkëpunimi do të operacionalizohet përmes zyrave për marrëdhënie ndërkombëtare të dy universiteteve, me fokus të veçantë në pjesëmarrjen dhe aplikimin e përbashkët në projektet Erasmus+ dhe Horizon Europe.

Një dimension me rëndësi të veçantë do të jetë edhe ngritja e kapaciteteve të stafit të UHZ's për përgatitjen e projekteve konkurruese ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ekspertë të Universitetit Trakya pritet të zhvillojnë trajnime dhe aktivitete profesionale për stafin e UHZ-së lidhur me hartimin, strukturimin dhe aplikimin në projektet Erasmus+ dhe Horizon Europe.

Delegacioni i Universitetit Trakya, krahas Rektorit Prof. Dr. Mustafa Hatipler, përbëhej nga Prof. Dr. Sedat Üstündağ, Prorektor dhe Dekan i Fakultetit të Mjekësisë; Prof. Dr. Ali Yılmaz, Dekan i Fakultetit të Stomatologjisë; Prof. Dr. Alkin Çolak, Kryemjek dhe përfaqësues i Departamentit të Anesteziologjisë dhe Reanimacionit; Prof. Dr. Mehmet Çelik, Drejtor i Administratës së Fondit Qarkullues dhe përfaqësues i Departamentit të Endokrinologjisë; Prof. Dr. Cenk Mısırlı, drejtues i Departamentit për Ndërtim dhe Çështje Teknike; Assoc. Prof. Dr. Ali İhsan Meşe, Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm dhe Këshilltar i Rektorit, si dhe Lecturer Ali Küçükoğlu, Drejtor i Zyrës së Sekretariatit të Rektorit.

Nga "Haxhi Zeka" University“ në takim morën pjesë Prof. Dr. Edmond Beqiri, Prorektor për Cilësi dhe Ndërkombëtarizim; Prof. Dr. Afrim Selimaj, Dekan i Fakultetit të Menaxhimit në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis; Prof. Dr. Ibrahim Hoxha, Dekan i Fakultetit të Agrobiznesit; Prof. Ass. Dr. Mesnur Morina, Prodekan i Fakultetit Juridik, si dhe Arbnora Haxhijaj, Drejtoreshë e Departamentit për Ndërkombëtarizim.

Vizita dhe marrëveshja e arritur përbëjnë një tjetër hap në orientimin e Universitetit “Haxhi Zeka” drejt ndërtimit të partneriteteve ndërkombëtare që nga marrëdhëniet formale kalojnë në projekte, mobilitete, kërkim shkencor dhe ngritje konkrete të kapaciteteve institucionale.

Go to Top