Periudha 2023–2025 shënon një fazë të rëndësishme konsolidimi, zgjerimi dhe thellimi të bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit “Haxhi Zeka”, duke e pozicionuar universitetin si një aktor aktiv dhe të besueshëm në hapësirën evropiane dhe rajonale të arsimit të lartë. Përmes një angazhimi të vazhdueshëm institucional, partneritetesh të qëndrueshme dhe projekteve konkrete me ndikim, ndërkombëtarizimi është shndërruar nga një objektiv formal në një praktikë të përditshme akademike dhe zhvillimore.
Projektet e implementuara gjatë kësaj periudhe, të financuara kryesisht nga programi Erasmus+ dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, dëshmojnë qartë orientimin e universitetit drejt inovacionit, ndërmarrësisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, si dhe lidhjes së arsimit me nevojat reale të tregut të punës. Iniciativa si Green WB, E-le.G.A.N.T.S., METATECH 4.0, MUSH LINK, projektet NAWA, si dhe bashkëpunimet përmes CEEPUS, USAID dhe mekanizmave të tjerë mbështetës, kanë krijuar mundësi konkrete për studentët, stafin akademik dhe partnerët institucionalë që të bashkëpunojnë përtej kufijve, duke prodhuar vlerë të qëndrueshme akademike dhe shoqërore.
Një arritje me rëndësi të veçantë për këtë periudhë është pajisja e "Haxhi Zeka" University“ me Erasmus Charter for Higher Education (ECHE), e cila konfirmon përkushtimin institucional ndaj standardeve evropiane dhe hap rrugë të qëndrueshme për mobilitet akademik dhe projekte afatgjata. Po ashtu, anëtarësimi në rrjete prestigjioze si Forumi i Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, BUSINET, si dhe aplikimi për anëtarësim të plotë në European University Association (EUA), e forcojnë më tej zërin dhe praninë ndërkombëtare të universitetit.
Mobiliteti akademik mbetet një nga shtyllat më të prekshme të këtij bashkëpunimi. Dhjetëra studentë dhe profesorë të Universitetit “Haxhi Zeka” kanë përfituar nga mobilitetet semestrale dhe të përziera në universitete partnere në Poloni, Kroaci, Francë, Maltë, Holandë dhe më gjerë, ndërkohë që mbi njëqind studentë dhe dhjetëra profesorë ndërkombëtarë kanë qenë pjesë e jetës akademike të UHZ-së si studentë dhe ligjërues ardhës. Ky shkëmbim i vazhdueshëm ka pasuruar përvojën akademike, ka rritur kompetencat ndërkulturore dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
Universitetet Ndërkombëtare Verore dhe Dimërore UNISUM AND UNIWIN, të zhvilluara me sukses gjatë viteve 2023–2025, janë shndërruar në platforma të dallueshme të dialogut akademik ndërkombëtar, ku studentë dhe profesorë nga dhjetëra vende kanë ndarë njohuri, përvoja dhe vizione të përbashkëta. Këto programe përfaqësojnë më së miri filozofinë e një universiteti të hapur, bashkëkohor dhe të orientuar drejt mësimit përmes përvojës.
Në këtë kontekst, Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë partnerët ndërkombëtarë, universitetet mike, agjencitë financuese, rrjetet akademike dhe individët që kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë në bashkëpunimin me UHZ-në. Kontributi juaj ka qenë thelbësor në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, në fuqizimin e studentëve dhe në afirmimin ndërkombëtar të universitetit.
Duke ecur përpara, Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar që bashkëpunimin ndërkombëtar ta zhvillojë në frymën e Universitetit 4.0, me themele të forta në ndërmarrësi, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm, me studentin në qendër të çdo procesi dhe me shpirt e zemër të ndërtuar mbi modelin e heliksit të katërfishtë – universitet, industri, qeverisje dhe shoqëri civile. Ky vizion përbën bazën mbi të cilën do të ndërtohen partneritetet e ardhshme dhe do të forcohet roli i UHZ-së si një universitet me ndikim real në nivel lokal, rajonal dhe evropian.


