Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe avancimit, Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Armand Krasniqi, zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Republikën e Kroacisë, më konkretisht në Tera Tehnopolis dhe Universitetin Josip Juraj Strossmayer të Osijekut.
Kjo vizitë kishte për qëllim thellimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale, krijimin e urave të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimin e përvojave të mira në fushën e inovacionit, ndërmarrësisë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional.
Në kuadër të agjendës së vizitës, delegacioni i Univerzitet "Hadži Zeka"“ vizitoi Tera Tehnopolis, një nga qendrat më të njohura të inovacionit dhe sipërmarrjes në Kroaci, e cila shërben si një pikë takimi ndërmjet universiteteve, komunitetit të biznesit dhe institucioneve publike. Gjatë takimit me drejtuesit e kësaj qendre, u zhvilluan diskutime të frytshme lidhur me modelet e suksesshme të transferimit të teknologjisë dhe njohurive, mbështetjes së start-upeve studentore, si dhe nxitjes së inovacionit universitar si një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik rajonal.
Në këtë kontekst, u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Tera Tehnopolis dhe Qendrës Universitare për Inovacion dhe Ndërmarrësi të UHZ-së – NOVA, si një mundësi reale mbështetjeje e Tera Tehnopolis dhe NOVA për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, programeve trajnuese, organizimin e punëtorive praktike dhe shkëmbimin e përvojave profesionale. Ky bashkëpunim në të ardhmen synon të krijojë ura lidhëse midis akademisë dhe tregut të punës, duke fuqizuar studentët, të rinjtë dhe bizneset e reja në zhvillimin e ideve të tyre innovative.
Një ndër pikat qendrore të vizitës ishte takimi zyrtar me Rektorin e Universitetit të Osijekut, gjatë të cilit u diskutuan mundësitë konkrete të bashkëpunimit akademik ndërmjet dy institucioneve. Temat kryesore të trajtuara përfshinë bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionitsi dhe shkëmbimet akademike të personelit dhe studentëve në kuadër të programeve Erasmus+ dhe nismave të tjera evropiane.
Në takimin me menaxhmentin e universitetit të Osijekut u diskutua përfshirja e Universitetit “Haxhi Zeka” në Aleancën Evropiane të Universiteteve “COLOURS”, që synon ndërtimin e një hapësire të përbashkët arsimore evropiane përmes bashkëpunimeve afatgjata ndërmjet universiteteve të rajonit dhe BE-së. Pjesëmarrja në këtë aleancë do të mundësojë për UHZ-në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, pjesëmarrje në trajnime, si dhe integrimin më të thellë në proceset e modernizimit të arsimit të lartë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Gjatë qëndrimit në Kroaci, delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka” pati gjithashtu kënaqësinë të realizojë një takim joformal me ish-rektoren e Universitetit të Zarës, Prof. Dr. Dijana Vican, e cila prej vitesh është një mbështetëse dhe partnere e çmuar e UHZ-së. Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e reja të bashkëpunimit dhe për zhvillimin e ideve inovative që synojnë fuqizimin e rolit të Universitetit “Haxhi Zeka” në rajon dhe në nivel ndërkombëtar.
Vizita e delegaionit nga UHZ konsolidon rolin të Universitetit “Haxhi Zeka” si një institucion dinamik, i hapur dhe inovativ, i cili synon të jetë pjesë aktive e rrjeteve akademike dhe kërkimore në nivel rajonal dhe evropian. Përmes këtyre nismave, UHZ synon të rrisë cilësinë e arsimit, të forcojë lidhjet me tregun e punës dhe të kontribuojë në zhvillimin socio-ekonomik të rajonit të Dukagjinit dhe më gjerë.
Kroacia dhe institucionet e saj të arsimit të lartë me të cilat bashkëpunon UHZ, janë tashmë partnere strategjike të Universitetit “Haxhi Zeka”, me të cilat janë ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi në fushën e arsimit, inovacionit, ndërmarrësisë dhe kërkimit shkencor. Ky bashkëpunim strategjik po ndihmon në shkëmbimin e përvojave institucionale, përmirësimin e kapaciteteve akademike, dhe në ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm bashkëpunimi rajonal dhe evropian.




