Ne ditën e trete te UNIWIN 2026, një ditë para nisjes për në njërën nga garat më prestigjioze të xhudos, Grand Slam Paris 2026, ekipi kombëtar i xhudos së Kosovës – i përbërë nga kampionë botërorë dhe olimpikë – priti në Pejë pjesëmarrësit e Universitetit Dimëror Ndërkombëtar UNIWIN 2026.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin nga afër përgatitjet stërvitore për Grand Slam Paris 2026, duke parë në veprim disa prej xhudistëve më të suksesshëm në botë, si: Distria Krasniqi, medaliste olimpike dhe kampione botërore; Akil Gjakova, kampion evropian; Laura Fazliu, medaliste olimpike dhe kampione evropiane; si dhe shumë sportistë të tjerë me medalje të nivelit ballkanik, evropian dhe botëror.
Pjesëmarrësit u pritën dhe u udhëhoqën nga trajnerët e ekipit kombëtar: Driton “Toni” Kuka, i shpallur nga International Judo Federation si trajneri më i mirë në botë në vitin 2021, dhe Majlinda Kelmendi, kampione olimpike dhe botërore, fituese e pothuajse të gjitha medaljeve më të rëndësishme në xhudo dhe trajnere e ekipit kombëtar të Kosovës.
Vizita u prit me entuziazëm nga studentët nga Hungaria, Polonia, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të cilët shprehën mirënjohje për mundësinë e takimit me kampionë olimpikë dhe botërorë, përfshirë edhe sportisten numër një në ranglistën botërore të IJF-së, Distria Krasniqi.
Gjatë vizitës u theksua respekti i ndërsjellë mes ekipit kombëtar të xhudos dhe Universitetit “Haxhi Zeka”, si dy institucione të rëndësishme në nivel kombëtar dhe regjional.
Pjesëmarrësit u uruan shumë suksese ekipit kombëtar të xhudos së Kosovës në Grand Slam Paris 2026 dhe në garat e ardhshme ndërkombëtare.
UNIWIN 2026 – vendi ku bashkohen dija dhe kampionët!






