Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

UHZ dhe Malisheva hapin një kapitull të ri të zhvillimit të bazuar në dije dhe evidenca shkencore

Delegacioni i Univerzitet "Hadži Zeka"“, i përbërë nga Rektori, Dr. sc. Armand Krasniqi, Dekani i Fakultetit të Agrobiznesit, Prof. Dr. Ibrahim Hoxha, dhe Dr. sc. Prof. Assoc. Elvis Elezaj, zhvilloi sot një vizitë pune në Komunën e Malishevës.

Delegacioni i UHZ-së u prit nga Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, dhe Nënkryetari i Komunës, z. Vesel Krasniqi.

Vizita u realizua në kuadër të partneritetit ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Komunës së Malishevës, si dhe të bashkëpunimit të tyre në kuadër të Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjini – FERD.

Në qendër të diskutimit ishte angazhimi i personelit akademik të UHZ-së për fillimin, në të ardhmen e afërt, të procesit të përgatitjes së një studimi dhe raporti të fizibilitetit edhe për Komunën e Malishevës. Ky dokument do të mbështetet në të dhëna zyrtare, analiza shkencore dhe tregues të matshëm, duke krijuar një pasqyrë të plotë të potencialeve, nevojave dhe mundësive zhvillimore të komunës.

Rektori Krasniqi theksoi se kjo nismë përfaqëson vazhdimësi të angazhimit të Universitetit “Haxhi Zeka” për ta vënë dijen, kërkimin shkencor dhe ekspertizën akademike në shërbim të komunave dhe të zhvillimit të përgjithshëm të rajonit.

Sipas tij, përmes këtij projekti, Universiteti synon të krijojë një model të qëndrueshëm bashkëpunimi, në të cilin institucionet lokale nuk do të jenë vetëm partnere formale, por pjesëmarrëse aktive në identifikimin e nevojave, sigurimin e të dhënave dhe përcaktimin e prioriteteve zhvillimore.

Dr. sc. Prof. Assoc. Elvis Elezaj i njoftoi përfaqësuesit komunalë në mënyrë të hollësishme me përmbajtjen, strukturën dhe qëllimet e këtij projekti. Ai shpjegoi se studimi do të mbështetet në një metodologji të qartë kërkimore, e cila do të përfshijë mbledhjen, verifikimin, sistemimin dhe përpunimin profesional të të dhënave relevante për Komunën e Malishevës.

Prof. Elezaj theksoi se dokumenti përfundimtar do të krijojë evidenca të besueshme shkencore, të cilat do të mund të përdoren në hartimin e politikave komunale dhe rajonale të zhvillimit, në përputhje me vizionin, resurset dhe kapacitetet konkrete të Komunës së Malishevës.

Raporti pritet të evidentojë potencialet ekonomike, bujqësore, njerëzore dhe infrastrukturore të komunës, si dhe sfidat që kërkojnë ndërhyrje institucionale dhe planifikim afatgjatë. Në këtë mënyrë, ai do të shërbejë si bazë profesionale për orientimin e investimeve, përgatitjen e projekteve zhvillimore dhe përcaktimin e prioriteteve të ardhshme të komunës.

Pjesëmarrja e Dekanit të Fakultetit të Agrobiznesit, Prof. Dr. Ibrahim Hoxha, dëshmon rëndësinë që projekti i kushton edhe identifikimit dhe vlerësimit të potencialeve bujqësore dhe agrobiznesore të Malishevës, si fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në këtë komunë.

Përfaqësuesit e Komunës së Malishevës e falënderuan sinqerisht delegacionin e Universitetit “Haxhi Zeka” për këtë nismë, duke e vlerësuar atë si një qasje të re dhe të veçantë, e cila deri më tani nuk ishte ndërmarrë në këtë formë për Komunën e Malishevës.

Kryetari Ekrem Kastrati dhe Nënkryetari Vesel Krasniqi shprehën gatishmërinë e plotë për bashkëpunim dhe u zotuan se Komuna do ta mbështesë procesin e realizimit të studimit, duke kontribuar në sigurimin e të dhënave, koordinimin ndërinstitucional dhe përfshirjen e strukturave përkatëse komunale.

Ata konfirmuan gjithashtu se partneriteti me Universitetin “Haxhi Zeka” nuk do të kufizohet vetëm në këtë projekt, por do të vazhdojë dhe do të zgjerohet edhe përmes projekteve të tjera të përbashkëta në fushën e arsimit, shkencës, agrobiznesit, zhvillimit ekonomik dhe përfshirjes së studentëve në aktivitete me rëndësi për komunitetin.

Takimi përfundoi me pajtimin se përgatitja e këtij dokumenti shkencor do të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të politikave zhvillimore të bazuara në evidenca dhe drejt ndërtimit të një vizioni më të qartë për të ardhmen ekonomike dhe shoqërore të Komunës së Malishevës.

Idi na vrh