“Universiteti nuk mund të profilizohet i ndarë nga rajoni ku vepron. Rajoni nuk duhet të jetë vetëm përfitues i dijes së Universitetit, por partner në krijimin e saj.”
Në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, nën organizimin e FERD – Forumit Ekonomik Rajonal Dukagjini, sot u mbajt punëtoria “Rajoni si partner në profilizimin e Universitetit ‘Haxhi Zeka’”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunave partnere të UHZ-së.
Punëtoria shënoi një hap të rëndësishëm në përpjekjen e Universitetit për t’i dhënë FERD-it një dimension të ri. Synimi është që FERD të mos identifikohet vetëm si forum për diskutimin e zhvillimit ekonomik rajonal, por të konsolidohet gradualisht si mekanizëm i përhershëm i dialogut dhe bashkëpunimit Universitet–Komuna–Biznes–Shoqëri Civile, përmes të cilit partnerët e rajonit bëhen pjesë aktive e profilizimit strategjik të UHZ-së, zhvillimit të programeve studimore, kërkimit të orientuar drejt nevojave të rajonit dhe integrimit të studentëve në jetën profesionale.
Një prej temave qendrore të punëtorisë ishte iniciativa për krijimin e Barometrit Ekonomik dhe Zhvillimor të Rajonit të Dukagjinit, si instrument që do të mundësonte mbledhjen, analizimin dhe interpretimin sistematik të të dhënave mbi gjendjen ekonomike, potencialet dhe perspektivat zhvillimore të komunave partnere dhe të rajonit në tërësi. Në këtë kuadër u diskutua edhe për nevojën që kërkimi shkencor i UHZ-së të lidhet më fuqishëm me problemet konkrete dhe prioritetet zhvillimore të komunave.
Nën moderimin e Edlira Metushllari – Juniku, në kuadër të Universitetit prezantuan Dr.sc. Prof. asoc. Elvis Elezaj, i cili paraqiti matricën e hartuar për projektet dhe studimet e fizibilitetit për komunat partnere, si dhe Dr.sc. Prof. asoc. Alma Shehu-Lokaj, Prorektore, e cila trajtoi ndërlidhjen ndërmjet nevojave institucionale dhe ekonomike të rajonit, shkathtësive që kërkohen nga tregu i punës, programeve studimore, metodave të mësimit praktik dhe praktikës profesionale të studentëve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua pikërisht pyetjes se çfarë studenti duhet t’i ofrojë UHZ rajonit dhe tregut të punës. Diskutimi vuri në pah nevojën që profilizimi i programeve studimore të mbështetet gjithnjë e më shumë në identifikimin e shkathtësive të kërkuara nga institucionet dhe ekonomia, ndërsa mësimi praktik dhe praktika profesionale të trajtohen si pjesë e integruar e formimit akademik dhe profesional të studentëve.
Në punëtori morën pjesë menagjmenti i larte i UHZ, anëtarë të Këshillit Drejtues të UHZ -së Dekanë e , Prodekanë në Fakulteteve të UHZ, Drejtorë Institutesh dhe Departamentesh e zyrtar të UHZ, etj,. Ne diskutime dhe prezantime kontribuuan Xhenet Syka, Drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës; Enver Rugova, Kryesues i Kuvendit Komunal të Istogut; Dr.sc. Qemajl Sejdija, Drejtor i Arsimit në Komunën e Klinës; Muhamet Morina, Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Rahovecit; Altin Zhuniqi Drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Turizëm të Komunës së Rahovecit, si dhe Ardit Halilaj, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Përfaqësuesit komunalë sollën në diskutim çështje konkrete që lidhen me zhvillimin lokal, arsimin, turizmin, ekonominë, nevojat e tregut të punës dhe potencialet specifike të komunave. Diskutimet konfirmuan rëndësinë që komunat të mos jenë vetëm partnere formale të Universitetit, por burim i vazhdueshëm i informacionit, nevojave, problemeve kërkimore dhe mundësive për angazhimin praktik të studentëve dhe stafit akademik.
Në këtë frymë, bashkëpunimi UHZ–FERD–Komuna synon të ndërtojë gradualisht një zinxhir të integruar:
Nevojat e rajonit → kërkimi dhe të dhënat → shkathtësitë → programet studimore → mësimi praktik → praktika profesionale → punësimi dhe zhvillimi rajonal.
Punëtoria kishte gjithashtu një qëllim të drejtpërdrejtë përgatitor për Konferencën e radhës tradicionale të FERD-it. Diskutimet dhe propozimet e përfaqësuesve të komunave krijuan orientimet fillestare mbi temat dhe çështjet që duhet të trajtohen në konferencë, ku dialogu pritet të zgjerohet edhe me përfaqësues të institucioneve qendrore, sektorit privat, organizatave profesionale, shoqërisë civile dhe partnerëve të tjerë.
Nga punëtoria doli një mesazh i qartë: Fard duhet të fuqizohet edhe më tej dhe të kalojë nga një platformë periodike diskutimi në një mekanizëm funksional dhe të qëndrueshëm të bashkë krijimit ndërmjet Universitetit dhe rajonit.
Për Universitetin “Haxhi Zeka”, ky orientim është njëkohësisht pjesë e procesit të profilizimit të tij: një universitet që nuk e përcakton të ardhmen vetëm brenda strukturave akademike, por e ndërton atë në dialog të vazhdueshëm me komunat, ekonominë, institucionet dhe shoqërinë që i shërben.



















