Univerzitet "Hadži Zeka"“ zhvilloi sot takimin e tretë konsultativ të grupit punues, në kuadër të nismës që po realizohet në partneritet me Forumin Ekonomik Rajonal të Dukagjinit (FERD) dhe Institutin për Shkencë dhe Arte (ISHA) të UHZ-së, me synim hartimin e analizave dhe dokumenteve për zhvillimin ekonomik të komunave dhe të Rajonit të Dukagjinit.
Pas përfundimit të fazës së planifikimit metodologjik, takimi i tretë u përqendrua në operacionalizimin e aktiviteteve, përmes prezantimit të planit të veprimit, përcaktimit të afateve të realizimit dhe organizimit të ekipeve të punës sipas fushave të ekspertizës.
Gjatë takimit u prezantua në detaje plani i veprimit, duke u trajtuar objektivat, rezultatet e pritshme, metodologjia e punës dhe dinamika e realizimit të secilit aktivitet. Në vijim, pjesëmarrësit diskutuan mënyrën e koordinimit ndërmjet ekipeve, përgjegjësitë institucionale dhe mekanizmat për monitorimin e progresit të projektit.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua ndarjes së grupeve tematike të punës, të cilat do të jenë përgjegjëse për analizimin e sektorëve dhe fushave specifike, për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe për hartimin e dokumenteve analitike dhe rekomandimeve për politika zhvillimore.
U theksua se puna do të zhvillohet në mënyrë të koordinuar dhe ndërdisiplinore, duke angazhuar ekspertizën akademike të Universitetit në funksion të nevojave konkrete të komunave dhe institucioneve publike. Dokumentet që do të hartohen do të mbështeten në të dhëna zyrtare, analiza shkencore dhe konsultime me akterët relevantë, me qëllim që rezultatet të jenë të besueshme dhe të zbatueshme në praktikë.
Ky projekt përfaqëson një nga angazhimet më të rëndësishme të Universitetit “Haxhi Zeka” në kuadër të misionit të tretë universitar, duke dëshmuar rolin aktiv të institucionit në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe social të Rajonit të Dukagjinit përmes ekspertizës shkencore dhe partneritetit me institucionet publike dhe sektorin privat.
Në kuadër të këtij angazhimi u vlerësua veçanërisht kontributi i Prof. Ass. Dr. Elvis Elezaj, i cili ka udhëhequr përgatitjen e konceptit metodologjik të dokumentit të fizibilitetit, duke vendosur bazat profesionale dhe shkencore për hartimin e këtij procesi. Puna dhe angazhimi i tij në strukturimin e qasjes metodologjike, përcaktimin e elementeve analitike dhe orientimin e procesit sipas standardeve bashkëkohore të planifikimit strategjik kanë krijuar një themel të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të projektit. Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe ekspertizën e tij, të cilat po kontribuojnë drejtpërdrejt në realizimin e një nisme me rëndësi të veçantë për komunat e Rajonit të Dukagjinit dhe më gjerë.
Takimet e grupit punues do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, ndërsa me avancimin e aktiviteteve do të përfshihen edhe anëtarë të tjerë të stafit akademik, sipas fushave përkatëse të ekspertizës, me qëllim realizimin me sukses të këtij projekti me rëndësi strategjike për rajonin.




