Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

UHZ, HAPËSIRË DIALOGU PËR GJININË, EKONOMINË DHE PJESËMARRJEN DEMOKRATIKE

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë mirëpriti hapjen e Shkollës Verore për Gjininë, Ekonominë dhe Politikën, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI). Universiteti “Haxhi Zeka”, në cilësinë e institucionit pritës dhe mbështetës, ka ofruar hapësirat dhe mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e kësaj ngjarjeje, e cila mbledh studentë, ekspertë, përfaqësues institucionalë dhe profesionistë për të diskutuar mbi çështje që ndërlidhin gjininë, ekonominë dhe politikën.

Një dimension të veçantë ngjarjes i jep pjesëmarrja e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili është pjesë e programit të Shkollës Verore dhe e diskutimeve me pjesëmarrësit mbi tema që lidhen me zhvillimet ekonomike e shoqërore, politikat publike dhe barazinë gjinore.

Në hapje të Shkollës Verore, në emër të Universitetit “Haxhi Zeka”, pjesëmarrësve iu drejtua rektori, Prof.dr. Armand Krasniqi, i cila u uroi mirëseardhje në Universitetin “Haxhi Zeka” dhe në Pejë.

Në fjalën e tij, rektori Krasniqi theksoi rëndësinë që universitetet të jenë jo vetëm vende ku transmetohet dije, por edhe hapësira ku diskutohen hapur çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në shoqëri. Ai nënvizoi se temat që trajtohen gjatë Shkollës Verore si barazia gjinore, pjesëmarrja në tregun e punës, politikat publike, ekonomia, teknologjia, inteligjenca artificiale dhe pjesëmarrja demokratike, janë të lidhura ngushtë me zhvillimet dhe sfidat me të cilat përballet shoqëria sot.

Rektori vuri në pah gjithashtu rëndësinë e krijimit të hapësirave ku të rinjtë të mos jenë vetëm dëgjues, por pjesëmarrës aktivë në diskutim, duke sjellë perspektivat, pyetjet dhe idetë e tyre në debatet mbi politikat dhe proceset që ndikojnë në të ardhmen e tyre.

Gjatë programit të Shkollës Verore, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin ligjërata, diskutime dhe sesione interaktive me ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere. Në fokus do të jenë tema që trajtojnë marrëdhënien ndërmjet gjinisë dhe ekonomisë, pjesëmarrjen në tregun e punës, politikat publike, teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, si dhe pjesëmarrjen demokratike.

Pritja dhe mbështetja e kësaj Shkolle Verore reflekton angazhimin e Universitetit “Haxhi Zeka” për të qenë një universitet i hapur ndaj shoqërisë, që krijon hapësirë për dialog, mendim kritik dhe shkëmbim idesh, si dhe mbështet iniciativa që fuqizojnë studentët dhe të rinjtë.

Për UHZ-në, bashkëpunimi me institucione dhe organizata partnere në aktivitete të kësaj natyre është një mundësi për të sjellë diskutimet mbi çështje të rëndësishme shoqërore më pranë komunitetit universitar dhe për të forcuar rolin e universitetit si një hapësirë ku takohen dija, dialogu dhe angazhimi qytetar.

Idi na vrh