Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Universiteti “Haxhi Zeka” lidh marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Kobanit në Siri

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë (UHZ) ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Kobanit, me seli në Kobani, Aleppo, Siri.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UHZ-së, Prof. dr. Armand Krasniqi, ndërsa Universitetin e Kobanit e përfaqësuan bashkë-kryesuesit Sharfan Ismail Muslim dhe Khazna Mohmmad Ibrahim.

Lidhja e kësaj marrëveshjeje u lehtësua nga Prof. dr. hab. inż. Kesra Nermend, kontributi i të cilit vlerësohet veçanërisht për realizimin e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar.

Vlen të theksohet se kjo është marrëveshja e parë që UHZ-ja lidh me një universitet kurd, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit ndërkombëtar të institucionit drejt rajonit të Lindjes së Mesme.

Përmbajtja e marrëveshjes

Sipas dokumentit të nënshkruar, të dyja universitetet angazhohen për bashkëpunim në fushën e kërkimit shkencor dhe arsimit, mbi bazën e trajtimit të barabartë të palëve. Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë:

  • zhvillimin profesional të stafit akademik, veçanërisht në aftësitë mësimore dhe kërkimore;
  • edukimin e studentëve dhe kandidatëve për doktoratë;
  • shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira lidhur me kurrikulat;
  • përgatitjen dhe realizimin e përbashkët të projekteve kërkimore-shkencore;
  • shkëmbimin e materialeve mësimore dhe publikimeve shkencore;
  • aplikimin e përbashkët për fonde që financojnë bashkëpunimin;
  • zhvillimin e programeve të dyfishta dhe të përbashkëta të diplomave.

Marrëveshja është e vlefshme për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh, me mundësi rinovimi automatik për pesë vjet të tjera, përveç rastit kur njëra palë njofton refuzimin brenda gjashtë muajve para skadimit.

Për koordinimin e zbatimit të marrëveshjes, nga ana e UHZ-së është caktuar znj. Arberora Haxhija, ndërsa nga Universiteti i Kobanit, dr. Ashraf Mahmoud.

Idi na vrh