Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Vizitë zyrtare e Prof. Ass. Dr. Mensur Morina në Bursa – forcohen lidhjet akademike ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Turqisë

Prof. Ass. Dr. Mensur Morina zhvillon vizitë zyrtare në Universitetin e Uludağut në Bursa, duke avancuar bashkëpunimin akademik, institucional dhe ndërkombëtar ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe institucioneve të Republikës së Turqisë

Në kuadër të angazhimeve për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe fuqizimin e diplomacisë akademike, Prodekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Ass. Dr. Mensur Morina, realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin e Uludağut në Bursa të Republikës së Turqisë, ku zhvilloi një agjendë të rëndësishme takimesh me karakter akademik, institucional dhe diplomatik.

Në nivel universitar, Prof. Morina u prit nga Rektori i Universitetit të Uludağut, Prof. Dr. Ferudun Yılmaz, ndërsa takime pune zhvilloi edhe me Prorektorin, Prof. Dr. Zekirya Arı, si dhe me Dekanin e Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Halit Aker. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar, me fokus të veçantë në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore, organizimin e konferencave ndërkombëtare, si dhe krijimin e platformave të përbashkëta akademike në fushën juridike dhe të shkencave shoqërore.

Bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet universiteteve të rajonit dhe më gjerë, duke theksuar rolin që arsimi i lartë ka në zhvillimin e dijes, promovimin e dialogut ndërkulturor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve mike.

Në kuadër të dimensionit institucional dhe shtetëror të vizitës, Prof. Morina zhvilloi takime edhe me personalitete të larta të Republikës së Turqisë, përfshirë Zëvendëspresidentin e Partisë AK dhe ish-Zëvendëskryeministrin e Turqisë, Efkan Ala, si dhe Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmuş. Në këto takime u diskutua mbi rëndësinë strategjike të diplomacisë akademike dhe nevojën për të fuqizuar lidhjet ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë si ura bashkëpunimi ndërmjet shteteve dhe shoqërive.

Ndërkaq, në nivel lokal dhe administrativ në qytetin e Bursës, Prof. Morina zhvilloi takime me Kryetarin e Bashkisë së Bursës, Şahin Biba, Deputetin e Kuvendit të Bursës, Ali Sahit Adiloğlu, Sekretarin e Përgjithshëm të Komunës, Deniz Köken, si dhe Kryetarin e Komunës së Kestel, Ferhat Erol. Diskutimet u fokusuan në mundësitë e bashkëpunimit në projekte arsimore, kulturore, rinore dhe zhvillimore me interes të ndërsjellë, duke përfshirë edhe perspektivat e ndërlidhjes së institucioneve akademike me pushtetin lokal dhe sektorin publik.

Gjatë gjithë vizitës, Prof. Morina përcolli përshëndetjet zyrtare të Rektorit të Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, si dhe të Dekanit të Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, duke riafirmuar përkushtimin institucional të Universitetit “Haxhi Zeka” për zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe avancimin e bashkëpunimit akademik me universitetet dhe institucionet e Republikës së Turqisë.

Si rezultat i kësaj vizite, palët arritën dakordim parimor për nisjen e procedurave drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje zyrtare bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Universitetit të Uludağut, ndërsa u shpreh edhe gatishmëria reciproke për realizimin e vizitave zyrtare në Pejë, me synim konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike, shkencore dhe institucionale.

Idi na vrh