Në prag të 21 Majit – Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, Universiteti “Haxhi Zeka”, përmes Qendrës për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut, organizoi në Hotel Dukagjini në Pejë tryezën e rrumbullakët me temën “Universiteti si platformë për dialog ndërkulturor dhe bashkëjetesë në Kosovë”.
Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve akademike dhe qeveritare, organizatave vendore dhe ndërkombëtare, profesorë, studiues dhe pjesëmarrës të tjerë, me synimin për të diskutuar rolin që universitetet kanë në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, më të hapur dhe më të ndjeshme ndaj diversitetit kulturor.
Tryeza u hap nga Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë që arsimi universitar ka në kultivimin e tolerancës, respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike.
Mysafir nderi i aktivitetit ishte Dr. Neshad Albani nga Kosovo Center for Human Rights, Carnegie Council for Ethics in International Affairs dhe The Rotary Foundation of Rotary International, i cili foli për rëndësinë e etikës, dialogut dhe të drejtave të njeriut në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve
Në kuadër të aktivitetit u prezantua edhe hulumtimi i Qendrës për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut me temën “Universiteti si platformë për dialog ndërkulturor dhe bashkëjetesë në Kosovë”, nga Prof. Dr. Armand Krasniqi dhe MSc. Edlira Juniku.
Diskutimi u fokusua në çështje të rëndësishme që lidhen me politikat universitare për diversitet dhe përfshirje, sfidat e zbatimit të tyre në praktikë, si dhe rolin e universiteteve në promovimin e dialogut ndërkulturor dhe integrimit shoqëror.
Kontribut në panel dhanë edhe z. Suad Sadiković nga OSBE – Qendra Rajonale dhe Prof. asoc. dr. Anita Cucović, profesoreshë në Fakultetin e Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka”, të cilët trajtuan rëndësinë e gjuhës dhe qasjes në arsim, si dhe rolin e programeve të studimit në gjuhët e komuniteteve.
Në vazhdim të tryezës, diskutimet u pasuruan edhe me kontributet e Prof. Dr. Fahrush Rexhepit, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Komisionit për Arsim, i cili foli për tolerancën ndërfetare te shqiptarët, si dhe të deputetit Lazar Raduloviç, i cili ndau përvojat dhe perceptimet e komuniteteve lidhur me përfshirjen dhe përfaqësimin në institucionet universitare.
Çështjet që lidhen me diskriminimin, pengesat sociale dhe bashkëpunimin ndëretnik u trajtuan nga Arlinda Muça, anëtare e Këshillit Prokurorial, Agron Karatash, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren, Anita Çavdarbasha Korenica, zëvendës Avokate e Popullit, si dhe Mirzet Džogović, zëvendëskryetar i Komunës së Pejës për Komunitete.
Ndërkaq, Dr. Sc. Lendrit Qeli, udhëheqës i Zyrës dhe kryesues i Kolegjiumit të ZKKK/AKK, foli për barrierat sociale, ekonomike dhe kulturore, ndërsa Vlora Latifi nga organizata “Syri i Vizionit” trajtoi rëndësinë e bashkëpunimit ndëretnik dhe rolit të organizatave në forcimin e dialogut dhe përfshirjes shoqërore.
Tryeza u përmbyll me diskutim të hapur mes pjesëmarrësve, studentëve dhe akademikëve, ku u dhanë komente, rekomandime dhe propozime konkrete për përmirësimin e praktikave institucionale dhe politikave publike në funksion të promovimit të diversitetit, barazisë dhe bashkëjetesës.
Përmes kësaj tryeze, Universiteti “Haxhi Zeka” riafirmoi përkushtimin e tij për promovimin e dialogut ndërkulturor, respektimin e diversitetit dhe fuqizimin e rolit të universitetit si hapësirë e dijes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në shoqëri.















