Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar akademik, Prodekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Ass. Dr. Mensur Morina, zhvilloi një takim pune me Prorektorin e Universitetit Selçuklu në Konja, Prof. Dr. Haldun Soydal.
Gjatë takimit, u arrit një marrëveshje paraprake bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve për aplikimin e përbashkët të Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Fakultetit Juridik të Universitetit Selçuklu për hapjen e një programi të doktoraturës në fushën e drejtësisë.
Në këtë kuadër, Dekanja e Fakultetit Juridik të Universitetit Selçuklu, Prof. Dr. Berrin Akbulut, së bashku me prodekanët dhe sekretarin e fakultetit, e pritën me respekt dhe mikpritje të lartë akademike Prof. Morinën, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.
Palët u dakorduan për nënshkrimin e një Marrëveshjeje Mirëkuptimi (MoU) në një të ardhme të afërt, e cila do të hapë rrugë zhvillimeve të reja akademike e shkencore, përmes projekteve të përbashkëta në kuadër të Erasmus+ dhe Horizon Europe, organizimit të konferencave ndërkombëtare, si dhe shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve.
Në emër të Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Ass. Dr. Mensur Morina shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për mikpritjen e ngrohtë, duke përcjellë përshëndetjet e Rektorit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe Dekanit të Fakultetit Juridik, Prof. Assoc. Dr. Petrit Nimani.
Në përmbyllje të vizitës, u theksua se në një periudhë të afërt kohore, një delegacion nga Universiteti Selçuklu do të vizitojë Universitetin “Haxhi Zeka” për të finalizuar protokollet e bashkëpunimit dhe për të hapur një faqe të re të partneritetit akademik ndërmjet dy institucioneve.

