Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Vizita e delegacionit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Institutin e Menaxhimit të Universitetit të Szczecin-it në Poloni

Në kuadër të agjendës së zgjeruar të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimit të partneriteteve strategjike akademike, delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, i përbërë nga Rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi, Prorektoret Prof.asoc.dr. Alma Shehu-Lokaj dhe  prof.Ass. Dr. Vjosa Hajdari-Lleshi, realizoi një vizitë pune tejet të rëndësishme në Institutin e Menaxhimit të Universitetit të Szczecin-it, një nga institucionet më të njohura shkencore dhe akademike në Republikën e Polonisë dhe më gjerë.

Delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka” u prit nga drejtuesit e institutit, respektivisht Drejtori i Institutit, Prof. Dr. Hab. Inż. Kesra Nermend, Zëvendësdrejtorja për Mësimdhënie, Dr. Karolina Beyer me të cilët u zhvilluan diskutime të gjera dhe përmbajtësore mbi perspektivat e bashkëpunimit akademik, shkencor dhe institucional ndërmjet dy institucioneve.

Takimi u zhvillua në frymën e partneritetit të konsoliduar që tashmë ekziston ndërmjet Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Institutit të Menaxhimit të Universitetit të Szczecin-it, bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit që institucionet kanë ndërtuar gjatë viteve të fundit. Në fokus të diskutimeve ishte avancimi i mëtejmë i bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor, publikimeve të përbashkëta, mobilitetit akademik dhe zhvillimit të projekteve ndërkombëtare.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të themelimit dhe zhvillimit të revistës së re shkencore universitare të Universitetit “Haxhi Zeka”. Në këtë drejtim, drejtuesit e institutit polak ofruan përvojat e tyre shumëvjeçare në menaxhimin dhe ndërkombëtarizimin e revistave shkencore, si dhe gatishmërinë për të mbështetur universitetin tonë me këshilla profesionale dhe ekspertizë konkrete në procesin e finalizimit dhe pozicionimit të revistës në komunitetin akademik ndërkombëtar.

Po ashtu, diskutimet përfshinë shkëmbimin e praktikave më të mira lidhur me funksionimin e zyrave të karrierës, mekanizmave për mbështetjen e studentëve, si dhe qendrave për ndërmarrësi dhe inovacion. Përvoja e institutit polak në ndërlidhjen e universitetit me tregun e punës, sektorin privat dhe ekosistemin e inovacionit u vlerësua si një model i rëndësishëm për proceset zhvillimore që Universiteti “Haxhi Zeka” po ndërmerr në kuadër të transformimit të tij drejt një universiteti modern, inovativ dhe të orientuar nga ndikimi në shoqëri.

Në mënyrë të veçantë, delegacioni i Universitetit “Haxhi Zeka” prezantoi zhvillimet e fundit të Institutit për Shkencë dhe Arte të universitetit, ndërsa drejtuesit e institutit polak ofruan rekomandime, përvoja dhe këshilla profesionale për fuqizimin e mëtejmë të këtij mekanizmi të rëndësishëm shkencor, me synim rritjen e kapaciteteve kërkimore, ndërkombëtarizimin e veprimtarisë shkencore dhe forcimin e ndikimit të tij në zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Një falënderim i veçantë i takon Drejtorit të Institutit, Prof. Dr. Hab. Inż. Kesra Nermend, personalitet i shquar akademik dhe shkencor, mik i dëshmuar i Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Ambasador Nderi i universitetit tonë. Përkushtimi i tij i vazhdueshëm ndaj zhvillimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, mbështetja e sinqertë ndaj proceseve reformuese në Universitetin “Haxhi Zeka”, si dhe autoriteti i tij i njohur në komunitetin akademik evropian, kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve tona.

Pikërisht vizioni, përvoja dhe gatishmëria e Prof. Nermend për të ndarë dijen dhe ekspertizën e tij me Universitetin “Haxhi Zeka” bënë që kjo vizitë të tejkalojë dimensionin formal të një takimi institucional dhe të shndërrohet në një platformë konkrete për ide të reja, projekte të përbashkëta dhe iniciativa me ndikim afatgjatë në zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Vizita konfirmoi edhe një herë se partneritetet e ndërtuara mbi besimin, respektin reciprok dhe vizionin e përbashkët akademik përfaqësojnë një nga instrumentet më të rëndësishme për avancimin e universiteteve moderne. Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar që përmes bashkëpunimeve të tilla strategjike të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt fuqizimit të cilësisë akademike, ndërkombëtarizimit, kërkimit shkencor dhe shërbimit ndaj shoqërisë.

Go to Top