Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Universiteti “Haxhi Zeka” përfaqësohet në një nga forumet më të rëndësishme evropiane të arsimit të lartë

Në kuadër të qëndrimit në Stamboll, Turqi, për pjesëmarrje në EUA Annual Conference 2026, përfaqësues të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë po marrin pjesë në punimet e njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme evropiane në fushën e arsimit të lartë.

Delegacioni i UHZ përbëhet nga Kryesuesja e Këshillit Drejtues, prof. ass. dr. Emine Abdyli Pozhari, anëtarja e Këshillit Drejtues, prof. asoc. dr. Mersiha Kaçamaković, si dhe Prorektorja për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, prof. Asoc.dr. Alma Shehu Lokaj.

Konferenca, e organizuar nga European University Association, mbledh liderë universitarë, politikëbërës dhe ekspertë nga 41 shtete të Evropës me rreth 260 institucione të arsimit të lartë dhe mbi 430 pjesëmarrës, për të diskutuar zhvillimet më të fundit në arsimin e lartë, sfidat globale dhe rolin e universiteteve në ndërtimin e shoqërive demokratike dhe të qëndrueshme.

Gjatë sesioneve të konferencës, përfaqësuesit e UHZ po marrin pjesë në diskutime mbi temat kyçe si transformimi institucional, ndërkombëtarizimi, inovacioni në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, si dhe fuqizimi i rolit të studentëve në qeverisjen universitare. Pjesëmarrja në këtë forum ofron mundësi të vlefshme për shkëmbim përvojash dhe krijim të kontakteve me universitete dhe organizata partnere nga mbarë Evropa.

Përmes pjesëmarrjes aktive në konferenca të këtij niveli, Universiteti “Haxhi Zeka” vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar, duke kontribuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave bashkëkohore në arsimin e lartë, në përputhje me standardet evropiane.

Go to Top