Në vazhdën e afirmimit të vazhdueshëm të cilësisë akademike dhe artistike, studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë kanë shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar me dinjitet institucionin dhe vendin në garën prestigjioze “XXIX International Classical Guitar Competition”, e mbajtur në Kyustendil të Bullgarisë.
Ky rezultat i shkëlqyer nuk është vetëm një arritje individuale e studentëve, por një dëshmi e fuqishme e nivelit të lartë të përgatitjes profesionale, përkushtimit artistik dhe punës sistematike që zhvillohet në kuadër të Fakultetit të Arteve të Universiteti “Haxhi Zeka”.
Në këtë garë ndërkombëtare, studentët tanë u dalluan për interpretim të shkëlqyer, disiplinë artistike dhe profesionalizëm, duke u vlerësuar me çmime të larta:
Dionis Berisha, në Kategorinë IV, u nderua me Çmimin e Parë, nën udhëheqjen profesionale të Prof. Asoc. Xhevdet Sahatxhija, duke dëshmuar një nivel të jashtëzakonshëm teknik dhe interpretativ.
Lindi Rudi, në Kategorinë V, u shpërblye me Çmimin e Tretë, nën mentorimin e prof. ma. Gjulian Bytyqi, duke konfirmuar potencialin dhe seriozitetin në zhvillimin artistik.
Një arritje e veçantë u shënua edhe nga Kuarteti i Gitarave, i përbërë nga Dionis Berisha, Blina Nushi, Lindi Rudi dhe Sidrit Haliti, të cilët në Kategorinë VII (Chamber Music) fituan Çmimin e Parë, nën udhëheqjen e Prof. Ass. Gjulian Bytyqi. Ky sukses përfaqëson jo vetëm harmoni artistike, por edhe një nivel të lartë të bashkëpunimit dhe pjekurisë muzikore.
Këto rezultate janë një reflektim i drejtpërdrejtë i vizionit të Universitetit për të zhvilluar një edukim bashkëkohor, të orientuar drejt standardeve ndërkombëtare dhe afirmimit të talentit në dimension global. Fakulteti i Arteve vazhdon të dëshmojë se është një nga shtyllat më të fuqishme të identitetit akademik dhe kulturor të universitetit, duke kontribuar në promovimin e vlerave artistike të Kosovës në skenat ndërkombëtare.
Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh mirënjohjen dhe krenarinë më të thellë për studentët dhe stafin akademik, të cilët me përkushtimin e tyre po ndërtojnë ura suksesi dhe po e pozicionojnë institucionin si një qendër të rëndësishme të ekselencës artistike në rajon dhe më gjerë.
Urime për këtë arritje të merituar – një sukses që nuk është vetëm i tyre, por i gjithë universitetit dhe shoqërisë sonë!






