Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, prof. dr. Armand Krasniqi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe Mal të Zi, me synim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor me universitetet e rajonit.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, rektori Krasniqi u prit në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nga rektori i këtij institucioni, prof. dr. Tonin Gjuraj, si dhe nga dy prorektoret prof. dr. Blerta Dragusha dhe prof. asoc.dr. Eliana Laçej.
Takimi u zhvillua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit që UHZ ka me Universitetin e Shkodrës, duke u fokusuar në projekte të reja të përbashkëta në fushën e turizmit, organizimin e konferencave ndërkombëtare si dhe shkëmbimin e personelit akademik dhe studentëve.
Palët theksuan rëndësinë e krijimit të mundësive të reja për bashkëpunim akademik dhe shkencor, me fokus në projekte konkrete që do të sjellin përfitime për të dy institucionet.
Rektori Krasniqi theksoi se Universiteti “Haxhi Zeka” është i përkushtuar të ndërtojë ura bashkëpunimi me universitetet e rajonit dhe më gjerë, në funksion të ngritjes së cilësisë në mësimdhënie, hulumtim dhe shërbim ndaj komunitetit.
Nga ky takim u riafirmua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në shërbim të studentëve dhe personelit të të dy institucioneve.


