Menaxhmenti i Universitetit “Haxhi Zeka” realizoi një vizitë pune në objektin e ri që do të strehojë Faculty of Business AND Fakultetin e Menaxhimit të Turizmit, Hotelerisë dhe Mjedisit, punimet e të cilit tashmë kanë hyrë në fazat përfundimtare.
Gjatë vizitës u inspektua ecuria e punimeve dhe u vlerësua nga afër dinamika e realizimit të projektit, i cili pritet t’u ofrojë studentëve dhe stafit akademik hapësira bashkëkohore mësimore, kërkimore dhe pune. Objekti i ri paraqet një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës së universitetit dhe në ngritjen e cilësisë së procesit mësimor.
Ky objekt është financuar nga Fondet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mbështetje kjo që dëshmon përkrahjen e pakursyer në të gjitha dimensionet e zhvillimit të Universitetit “Haxhi Zeka”. Ky bashkëpunim i vazhdueshëm mes UHZ's dhe Ministrisë ka mundësuar realizimin e projekteve kapitale që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit të lartë dhe në krijimin e kushteve më të mira për brezat e ardhshëm të studentëve.
Së fundmi është hapur edhe hyrja e re e këtij objekti brenda kampusit universitar — një hyrje që nuk është thjesht element arkitektonik, por simbol i nismave të reja, i frymës së re, i shpirtit të ri dhe i mentalitetit të ri të një universiteti modern, të ndërtuar mbi bazat e konceptit të Universitetit 4.0.
Ky koncept nënkupton një institucion që i përgjigjet kërkesave të kohës: një universitet të hapur ndaj teknologjisë, inovacionit dhe bashkëpunimit, i cili e vendos studentin dhe dijen në qendër të veprimtarisë së tij.
Duhet theksuar se menaxhmenti i UHZ's, pavarësisht sfidave dhe pengesave të caktuara, mbetet këmbëngulës dhe i bindur se e ardhmja e Universitetit “Haxhi Zeka”, me një kampus modern, po ndërtohet mbi themele të forta të integritetit akademik dhe njerëzor.
Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar që, përmes investimeve në infrastrukturë dhe në cilësi, të krijojë kushtet për një ambient akademik në shërbim të studentëve, të komunitetit dhe të zhvillimit të rajonit.









