Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Nga Peja në Szczecin – Poloni : arti dhe muzika bashkojnë dy akademi

Në kuadër të një vizite disaditore në universitete dhe institute partnere në Poloni, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. dr. Armand Krasniqi, së bashku me Prorektoren Dr. sc. Prof. asoc. Alma Shehu Lokaj dhe Prorektoren Dr. sc. Prof. asoc. Vjosa Hajdari Lleshi, kanë realizuar një vizitë në Akademinë e Artit në Szczecin (Akademia Sztuki w Szczecinie).

Kjo nuk ishte vetëm vizita e parë e këtij niveli, por edhe një takim i veçantë me Rektoren e këtij universiteti, dr hab. Mirosława Jarmołowicz, prof. AS. Në takim mori pjesë edhe Prof. dr. Hab. Inż, Kesra Nermend, Drejtor I Institutit të Menaxhmentit në Universitetin e Szcezinit/Poloni. Gjatë takimit, Rektori Krasniqi së bashku me bashkëpunëtoret njoftoi Rektoren Jarmołowicz lidhur me Universitetin “Haxhi Zeka” dhe proceset nëpër të cilat po kalon institucioni, duke përfshirë zhvillimet dhe prioritetet aktuale akademike. Bisedimet u përqendruan më pas te pikat e përbashkëta të interesit, veçanërisht ato që lidhen me Fakultetin e Arteve të UHZ-së.

Palët ranë dakord që, së shpejti, të lidhet një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional në kuadër të programit Erasmus+.

Rektorja Jarmołowicz shprehu gatishmërinë që studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Arteve të UHZ-së, në kuadër të mobilitetit, të vizitojnë dhe eventualisht të studiojnë në këtë universitet.Në mënyrë të veçantë, palët diskutuan mundësinë që pedagogët e Fakultetit të Arteve të UHZ-së të mund të studiojnë dhe të avancohen në studimet e doktoratës në fushat instrumentale, të solokëndimit dhe të edukimit muzikor — fusha këto që përkojnë drejtpërdrejt me profilin dhe anët e forta të Akademisë së Artit në Szczecin.

Pak fjalë për Akademinë e Artit në SzczecinAkademia e Artit në Szczecin është universitet publik në qytetin Szczecin të Polonisë, i themeluar më 1 shtator 2010. Ndryshe nga shumë institucione të tjera artistike, profili i saj ndërthur njëkohësisht muzikën dhe artet pamore, duke ofruar programe në një gamë të gjerë disiplinash: pikturë, grafikë, dizajn, media të reja, dizajn të arkitekturës së brendshme dhe hapësirës virtuale, si dhe edukim artistik muzikor, studime instrumentale dhe performancë vokale.

E drejtuar nga Rektorja dr hab. Mirosława Jarmołowicz, prof. AS, Akademia është një institucion i ri dhe modern, që këtë vit shënon 15-vjetorin e themelimit. Mësimdhënësit e saj janë artistë dhe teoricienë aktivë — fitues çmimesh, koncertistëdhe ekspozues — çka e bën këtë universitet një partner natyror për bashkëpunim në fushën e arteve dhe të muzikës.

Kjo vizitë vendos themelet për një partneritet të qëndrueshëm mes dy institucioneve, duke hapur rrugën për shkëmbime akademike, mobilitet të studentëve e stafit, dhe mundësi të reja zhvillimi profesional për pedagogët dhe studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit “Haxhi Zeka”.

Go to Top