Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Konferenca e XVIII Shkencore në Ulqin: Platformë Rajonale e Dijes për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Inovacion

Në Ulqin, nën organizimin e Instituti për Kërkime Shkencore dhe Zhvillim Ulqin dhe në bashkëorganizim të vazhdueshëm me Universitetin “Haxhi Zeka”, u mbajt Konferenca e XVIII Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Zhvillimi i platformave inteligjente të planifikimit urban-rural, të bazuar në inteligjencën artificiale, për uljen dhe menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet në zonat turistike dhe bujqësore”.

Kjo konferencë, e cila tashmë për afro dy dekada përfaqëson një traditë të konsoliduar akademike, ka evoluar në një platformë të rëndësishme rajonale për shkëmbimin e ideve, prezantimin e kërkimeve shkencore dhe ndërtimin e bashkëpunimeve ndërinstitucionale në fusha të ndryshme si ekonomia, turizmi, e drejta, edukimi dhe zhvillimi territorial. Në këtë edicion morën pjesë përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, universiteteve, instituteve kërkimore, si dhe përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, duke e dëshmuar karakterin ndërkombëtar dhe ndërdisiplinor të kësaj konference.

Në kuadër të këtij aktiviteti shkencor u përzgjodhën dhe u trajtuan mbi tetëdhjetë punime kërkimore me profile të ndryshme tematike, ku pjesa më e madhe e tyre u prezantua drejtpërdrejt nga autorët, duke reflektuar nivel të lartë profesional dhe një qasje bashkëkohore ndaj sfidave zhvillimore.

Universiteti “Haxhi Zeka” u përfaqësua nga një delegacion i përbërë nga Rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi, Dr. sc. Prof. asis. Bashkim Nurboja, Dr. sc. Prof. asis. Driton Sylqa, Dr. sc. Prof. asoc. Anita Cuciovic, Prof. Dr. Vehbi Ramaj dhe Dr. sc. Abedin Selimaj, të cilët kontribuuan aktivisht në këtë shkencore dhe diskutimet akademike.

Në fjalën e tij hyrëse, Rektori Armand Krasniqi theksoi se kjo konferencë përfaqëson një platformë të konsoliduar të kërkimit shkencor, e cila falë angazhimit dhe vizionit të Elez Osmani, ka arritur të tejkalojë dimensionin rajonal dhe të shndërrohet në një hapësirë të rëndësishme për debat, dialog akademik dhe zhvillim të kulturës shkencore. Ai nënvizoi se kontinuiteti i kësaj konference për tetëmbëdhjetë vite radhazi ka dëshmuar se temat e trajtuara dhe propozimet e dala nga kjo platformë kanë dhënë kontribut konkret në gjenerimin e ideve dhe politikave për zhvillim të qëndrueshëm rajonal, me orientim drejt integrimit evropian.

Një dimension i veçantë i këtij edicioni ishte edhe akti simbolik i ndarjes së mirënjohjeve për personalitete që kanë kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e kësaj konference, përfshirë Genci Nimanbegu, Qazim Hoxhiq, Fatmir Gjeka dhe Elez Osmanik. Për Universitetin “Haxhi Zeka”, ky akt përfaqëson jo vetëm një shenjë respekti institucional, por edhe një reflektim të rolit që kjo konferencë ka pasur në afirmimin e aktivitetit kërkimor, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e profilit akademik të universitetit në nivel rajonal.

Në përmbyllje të aktivitetit, palët bashkëorganizatore riafirmuan përkushtimin për vazhdimin e këtij bashkëpunimi afatgjatë, duke u dakorduar që të fillojnë përgatitjet për Konferencën e XIX që do të mbahet në vitin 2027, me synimin për të avancuar më tej temat dhe qasjet inovative që ndërlidhen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe transformimin digjital të shoqërisë.

Kjo konferencë mbetet një dëshmi e fuqishme e rolit që institucionet akademike mund dhe duhet të luajnë në adresimin e sfidave bashkëkohore, duke ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet dijes shkencore dhe praktikës zhvillimore në funksion të së ardhmes së rajonit dhe më gjerë.

Go to Top