Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

9TH CONFERENCE OF THE SOUTHEASTERN EUROPE AND WESTERN BALKANS RECTORS' FORUM

Nga data 11 deri më 13 shtator 2024, Universiteti “St. Kliment Ohridski” në Bitola, Maqedonia e Veriut, është nikoqir i Konferencës së 9-të të Forumit të Rektorëve të Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Ky forum mblodhi 52 përfaqësues të universiteteve nga 27 vende, duke u shndërruar në një platformë të rëndësishme për dialogun dhe bashkëpunimin ndëruniversitar në rajon. Në mesin e pjesëmarrësve nga universiteti “Haxhi Zeka” prezent në këtë konferencë po merr pjesë rektori i UHZ-së, Prof. Dr. Armand Krasniqi, prorektorja për Mësim, Çështje Studentore dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Alma Shehu Lokaj, Drejtoresha e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, znj. Arberora Haxhija, dhe Drejtori i Logjistikës, z. Sami Gjuka. Pjesëmarrja e tyre në këtë forum shënon një angazhim të vazhdueshëm për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe përmirësimin e kapaciteteve të universitetit “Haxhi Zeka”.

Konferenca përqëndrohet në një sërë çështjesh me rëndësi kritike për zhvillimin e universiteteve dhe për rolin që ato luajnë në formësimin e së ardhmes së arsimit të lartë në Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte zhvillimi i Aleancave të Universiteteve Europiane, një iniciativë që synon të rrisë bashkëpunimin dhe të krijojë mundësi të reja për shkëmbimin e njohurive dhe burimeve mes institucioneve të arsimit të lartë. Diskutimet u përqendruan në mënyrën se si këto aleanca mund të përmirësojnë cilësinë e arsimit, të fuqizojnë inovacionin dhe të krijojnë mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik.

Në ditën e dytë të konferencës, tematika u zgjerua më tej duke trajtuar integritetin akademik, vlerat e universiteteve, dhe përpjekjet për të promovuar barazinë gjinore në arsimin e lartë. Diskutimet mbi integritetin akademik theksuan rëndësinë e etikës në kërkimin shkencor dhe proceset arsimore, duke nënvizuar nevojën për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë në universitetet moderne. Po ashtu, u diskutua edhe për barazinë gjinore, një çështje kyçe në ndërtimin e institucioneve më gjithëpërfshirëse dhe të barabarta, ku universitetet janë thirrur të luajnë një rol më aktiv në promovimin e mundësive të barabarta për të gjithë anëtarët e komunitetit akademik.

Go to Top