Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” RRIT KAPACITETET KËRKIMORE DHE INOVATIVE ME MBËSHTETJEN E KFOR-it

Universiteti Universiteti Haxhi Zeka ka organizuar sot ceremoninë zyrtare për pranimin e pajisjeve teknologjike, donacion nga Komanda Rajonale Perëndim – KFOR, duke shënuar një hap domethënës drejt avancimit të kapaciteteve akademike, kërkimore dhe inovative të institucionit.

Ceremonia u mbajt në prani të drejtuesve institucionalë, përfaqësuesve të KFOR-it, stafit akademik dhe studentëve. Me këtë rast, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, prof.dr. Armand Krasniqi, vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it, duke theksuar se donacioni është investim i drejtpërdrejtë në dije, kreativitet dhe në ndërtimin e së ardhmes së të rinjve.

Donacioni është rezultat i angazhimit të Komandës Rajonale–Perëndim të KFOR-it, të udhëhequr nga Lorenzo Mangia, i cili theksoi se investimi në arsimin e lartë përbën një faktor kyç për zhvillim të qëndrueshëm dhe për forcimin e stabilitetit afatgjatë në Kosovë, duke krijuar mundësi konkrete për avancimin e dijes, inovacionit teknologjik dhe ndërlidhjes së universiteteve me komunitetin dhe industrinë lokale.

Komanda Rajonale–Perëndim (RC-West) dhuroi një skaner 3D, një printer 3D me kapacitet të lartë, si dhe një prototip inovativ për riciklimin e materialeve plastike, duke mbështetur kërkimin shkencor dhe eksperimentimin teknologjik të universitetit, si dhe duke promovuar inovacionin, qëndrueshmërinë dhe transferimin e njohurive. 

Pajisjet e dhuruara do të shfrytëzohen në kuadër të Laboratorit të Gjelbër, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e ideve inovative dhe ndërmarrëse të studentëve, për forcimin e komponentës kërkimore-shkencore të personelit akademik, si dhe për avancimin e mësimdhënies praktike në fusha që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin profesional.

Ceremonia u përmbyll me nënshkrimin zyrtar të aktit të dhurimit nga Komandanti i Komandës Rajonale–Perëndim të KFOR-it, Kol. Lorenzo Mangia dhe Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, prof.dr. Armand Krasniqi si dhe me vënien simbolike në funksion të pajisjeve.

Mbështetja nga KFOR-i forcon edhe më tej partneritetin e ndërtuar mbi besim dhe respekt të ndërsjellë me Universitetin “Haxhi Zeka”, si dhe refleton një vizion të përbashkët për të ardhmen e arsimit të lartë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.

Go to Top