Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë organizoi sot testin pranues për kandidatët që synojnë të bëhen pjesë e gjeneratës së re të studentëve në programet Bachelor dhe Master për vitin akademik 2026/2027.
Procesi i testimit u zhvillua në pesë njësitë akademike të universitetit, duke përfshirë 20 programe studimi, përkatësisht 8 programe Bachelor dhe 12 programe Master. I gjithë procesi u administrua nga komisionet përkatëse, në përputhje të plotë me rregullat dhe procedurat e përcaktuara për pranimin e studentëve të rinj, duke garantuar korrektësi, transparencë dhe standarde të larta akademike.
Ky proces shënon një hap të rëndësishëm në rrugëtimin akademik të qindra të rinjve që kanë zgjedhur Universitetin “Haxhi Zeka” si destinacionin e tyre për studime, duke dëshmuar besimin e vazhdueshëm në cilësinë e programeve të studimit, stafit akademik dhe vizionit zhvillimor të universitetit.
Universiteti “Haxhi Zeka” mbetet i përkushtuar në ofrimin e një arsimi cilësor, të orientuar drejt nevojave të tregut të punës, kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit, duke krijuar mundësi që studentët të zhvillojnë kompetenca profesionale dhe akademike në përputhje me standardet evropiane të arsimit të lartë.
Rezultatet preliminare të testit pranues do të publikohen sipas afateve të përcaktuara në konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027















