Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” SHNDËRROHET NË HAPËSIRË DIALOGU STRATEGJIK NË EDICIONIN E TRETË TË FORUMIT EKONOMIK RAJONAL – DUKAGJINI 

Më 2 dhjetor 2025, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë organizoi me sukses konferencën e tretë të Forumit Ekonomik Rajonal – Dukagjini (FER-D) “Partneriteti i institucioneve në funksion të ndërtimit të heliksit të trefishtë në universitetin “Haxhi Zeka një ngjarje madhështore që mblodhi figura të rëndësishme të akademisë, qeverisë, biznesit dhe organizatave ndërkombëtare. 

Ngjarja u zhvillua në një atmosferë dinamike dhe profesionale, ku vizionet dhe idetë strategjike u prezantuan nga ekspertë të shquar vendas dhe ndërkombëtarë. Në hapjen e forumit, fjalët përshëndetëse u mbajtën nga Rektori i UHZ-së, Prof. dr. Armand Krasniqi, Ministrja e MASHTI-t Znj. Arbërie Nagavci, Zv. Ministri i MZHR-së Z. Ali Tafarshiku, dhe Z. Aqim Emurli, Team Leader i SHER.

Rektori Prof. dr. Armand Krasniqi theksoi rolin udhëheqës që universitetet duhet të marrin në ekosistemin e inovacionit, duke rikujtuar nevojën për politika të qëndrueshme arsimi, investime në kërkim-shkencë dhe krijimin e partneriteteve të qëndrueshme me sektorin privat dhe institucionet publike. Ai vuri në pah se FER-D është shndërruar në një platformë konkrete ku idetë transformuese marrin formë dhe kthehen në projekte zhvillimore.

Znj. Arbërie Nagavci, Ministre e MASHTI, vlerësoi kontributin e UHZ-së në zhvillimin e arsimit të lartë dhe rëndësinë që forume të tilla kanë për avancimin e politikave arsimore dhe inovacionit duke theksuar rolin e UHZ si shembull të shkëlqyer të këtyre politikave. Ajo theksoi përkushtimin e MASHTI-t për të mbështetur universitetet në drejtim të modernizimit, digjitalizimit dhe nxitjes së kërkimit shkencor si themel i zhvillimit të qëndrueshëm.

Z. Ali Tafarshiku, Zv. Ministër i MZHR-së, foli mbi prioritetet zhvillimore të Qeverisë së Kosovës për rajonin e Dukagjinit, duke nënvizuar rëndësinë e integrimit të politikave ekonomike me kontributin akademik dhe kërkimor. Ai theksoi se bashkëpunime të tilla ndërmjet universiteteve dhe institucioneve zhvillimore janë kyçe për rritjen e investimeve dhe krijimin e modeleve të qëndrueshme të zhvillimit rajonal.

Ndërsa Z. Aqim Emurli, Team Leader i SHER, ngriti rëndësinë e projekteve të bashkëfinancuara dhe rëndësinë e qasjes së bazuar në evidencë për hartimin e politikave ekonomike dhe inovacionit. Ai theksoi se SHER mbështet fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e bashkëpunimit ndërsektorial, duke e cilësuar FER-D si model të bashkëpunimit efektiv në nivel rajonal.

Forumi vijoi me një sërë prezantimesh të nivelit të lartë që adresuan temat më aktuale të ekonomisë modern dhe arsimit të lartë. Rektori Krasniqi foli mbi rolin e universiteteve në ekosistemin e inovacionit dhe modelin e heliksit të trefishtë, duke theksuar nevojën e sinkronizimit të akademisë, industrisë dhe qeverisë si bazë për transformim ekonomik. Pas tij, Z. Zef Dedaj, u.d. Drejtor i KIESA/MINT, diskutoi rëndësinë e krijimit të kushteve të qëndrueshme të investimeve përmes bashkëpunimit institucional, ndërsa Prof. dr. Anastas Angjeli, President i Universitetit Mesdhetar të Tiranës, ofroi një perspektivë të thelluar mbi ristrukturimin e modeleve zhvillimore nga rritja ekonomike drejt mirëqenies shoqërore në Shqipëri e rajon.

Në sesionin e dytë të konferencës, Prof. dr. Adrian Civici prezantoi qasje analitike mbi konkurrueshmërinë ekonomike dhe rolin e dijes në zhvillimin e qëndrueshëm, duke nënvizuar nevojën e ndryshimit të universiteteve. Ndërkohë, Prof. dr. Xhavit Rexhaj adresoi sfidat dhe mundësitë për rritjen e performancës së heliksit të trefishtë përmes partneritetit, dijes dhe shkencës.

Pjesa e pasdites solli një dimension inovativ në forum. Prof. Florina Asani, inxhiniere dhe hulumtuese në fushën e Inteligjencës Artificiale, prezantoi agjendën e AI-së në sektorët ekonomikë, duke paraqitur praktikat globale dhe mundësitë lokale për integrimin e teknologjive të avancuara. Znj. Arlinda Shoshi nga ONIX SPA solli perspektivën e sektorit privat mbi partneritetet midis biznesit dhe akademisë, ndërsa Prof. Ass.Dr. Anton Gojani, ekspert i arsimit profesional, diskutoi mbi intelegjencën e aftësive dhe metodat bashkëkohore për identifikimin e nevojave të tregut të punës.

Ngjarja u përmbyll me një fjalim sintetizuese dhe konkluzione nga Prof. dr. Avdulla Alija, Ekspert i SHER, i cili theksoi rëndësinë e koordinimit institucional dhe ndërtimit të një vizioni të përbashkët për zhvillim rajonal të qëndrueshëm, të bazuar në dije, inovacion dhe partneritet.

FER-D 2025 konfirmoi edhe një herë se Universiteti “Haxhi Zeka” po shndërrohet në një qendër të rëndësishme të dialogut strategjik, prodhimit të dijes dhe ndërtimit të politikave inovative. Përmes kësaj konference, UHZ dëshmon rolin e tij si institucion udhëheqës në krijimin e platformave ku bashkohen vendimmarrësit, komuniteti akademik, sektori privat dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar së bashku një të ardhme të qëndrueshme dhe më konkurruese për rajonin e Dukagjinit dhe gjithë Kosovën.

Konferenca e tretë e FERD u mbështet nga SHER i cili financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), bashkëfinancohet nga MAShTI dhe zbatohet nga WUS Austria, ZSI dhe OeAD.

Go to Top