Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

DITA NDËRKOMBËTARE E KONSUMATORIT SHËNOHET ME TRYEZË DISKUTIMI NË UNIVERSITETIN “HAXHI ZEKA” NË PEJË

Me rastin e 15 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, përmes Qendrës për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut, organizoi tryezë diskutimi me temën: “Të drejtat e njeriut dhe konsumatori në Kosovë: korniza ligjore dhe sfidat e zbatimit”.

Kjo tryezë synoi të nxisë dialogun ndërinstitucional dhe ndërsektorial mbi rëndësinë e mbrojtjes së konsumatorëve dhe forcimin e mekanizmave institucionalë që garantojnë respektimin e të drejtave të tyre në Kosovë. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të sektorit privat, të shoqërisë civile, si dhe akademikë dhe studentë të Universitetit “Haxhi Zeka”.

Në hapje të aktivitetit, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, theksoi rolin e rëndësishëm që institucionet e arsimit të lartë kanë në promovimin e kulturës së të drejtave të njeriut dhe në zhvillimin e debatit publik. Ai nënvizoi se universitetet nuk janë vetëm hapësira për transmetimin e dijes, por edhe platforma për fuqizimin e mendimit kritik dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të përgjegjshme. Sipas tij, diskutime të tilla kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe në promovimin e standardeve demokratike në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Nga prorektorja Prof. Assoc. Dr. Alma Shehu Lokaj u prezantua misioni dhe aktiviteti i Qendrës për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut, e cila synon të kontribuojë në fuqizimin e sundimit të ligjit, ndërgjegjësimin publik dhe avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Diskutimet gjatë tryezës trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit, duke përfshirë dimensionin penal dhe ekonomik të mashtrimeve ndaj konsumatorëve, sfidat e mbrojtjes gjyqësore në drejtësinë komerciale dhe rolin mbikëqyrës të institucioneve në garantimin e respektimit të të drejtave të konsumatorëve. Këto çështje u trajtuan nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, e cila theksoi rëndësinë e zbatimit efektiv të legjislacionit në luftimin e mashtrimeve dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.

Çështja e mbrojtjes gjyqësore të të drejtave të konsumatorit dhe sfidave të drejtësisë komerciale u trajtua nga znj. Vlora Pacolli Rexhepi, gjyqtare në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila theksoi rëndësinë e një sistemi gjyqësor efikas dhe të specializuar në trajtimin e mosmarrëveshjeve tregtare.

Ndërkohë, z. Arbër Berisha, këshilltar i lartë juridik në Institucionin e Avokatit të Popullit, prezantoi rolin mbikëqyrës të këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, duke theksuar trajtimin e ankesave të qytetarëve dhe monitorimin e institucioneve publike.

Nga perspektiva e sektorit privat, z. Arsim Selmonmusaj, menaxher i përgjithshëm i Elkos Group, foli për rëndësinë e përgjegjësisë sociale të biznesit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të besueshme me konsumatorët. Ndërsa z. Dževat Kiçara, drejtor i Institutit për Standardizim të Maqedonisë së Veriut, theksoi rolin e standardeve në garantimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve dhe shërbimeve në treg.

Po ashtu, z. Donat Spahija, udhëheqës i Departamentit të Trajnimeve në AFK, foli për rëndësinë e shërbimit cilësor ndaj klientit në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme mes bizneseve dhe konsumatorëve.

Tryeza u karakterizua nga një debat konstruktiv, ku pjesëmarrësit ndanë ide dhe rekomandime për përmirësimin e praktikave institucionale dhe politikave publike që lidhen me mbrojtjen e konsumatorëve.

Në përmbyllje u theksua se mbrojtja e konsumatorëve kërkon bashkëpunim të koordinuar ndërmjet institucioneve shtetërore, sistemit të drejtësisë, sektorit privat, akademisë dhe shoqërisë civile, në mënyrë që të garantohet zbatimi efektiv i legjislacionit dhe forcimi i besimit të qytetarëve në treg dhe në institucionet publike.

Përmes aktiviteteve të tilla, Universiteti “Haxhi Zeka” vazhdon të kontribuojë në promovimin e debatit publik dhe në avancimin e standardeve për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë.

Go to Top