Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

UHZ dhe Agjencia Zhvillimore Rajonale e Perëndimit zgjerojnë bashkëpunimin në mbështetje të zhvillimit rajonal

Në frymën e zgjerimit dhe fuqizimit të partneriteteve institucionale për zbatimin e projektit të realizimit të studimeve të fizibilitetit në komunat partnere të Forumit Ekonomik Rajonal të Dukagjinit – FERD, Rektori i "Haxhi Zeka" University“, Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me Prof. Assoc. Dr. Vjosa Hajdari, Prof. Assoc. Dr. Mersiha Kalaç-Kacamakovic dhe koordinatorin e projektit, Prof. Assoc. Dr. Elvis Elezaj, zhvilluan një takim pune me z. Sokol Luta, Drejtori i Agjencisë Zhvillimore Rajonale të Perëndimit.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe konstruktive, ndërsa z. Luta u njoftua nga afër me nismat dhe angazhimin e "Haxhi Zeka" University“ në realizimin e projektit të studimeve të fizibilitetit për komunat partnere të FERD-it, si dhe me aktivitetet e tjera që Universiteti po zhvillon në kuadër të këtij forumi.

Rektori Krasniqi theksoi se këto iniciativa janë pjesë e përpjekjeve të UHZ's për fuqizimin e misionit të tretë universitar, përmes një bashkëpunimi më të strukturuar me pushtetin lokal, institucionet zhvillimore, bizneset dhe komunitetin. Në këtë kontekst, synimi është që "Haxhi Zeka" University“ të avancojë gradualisht drejt jetësimit të konceptit të University 4.0, ku mësimdhënia dhe kërkimi shkencor ndërlidhen drejtpërdrejt me inovacionin, zhvillimin ekonomik dhe nevojat konkrete të shoqërisë.

Në këtë kuadër, nga z. Luta u kërkua që Agjencia Zhvillimore Rajonale e Perëndimit ta mbështesë këtë nismë jo vetëm në aspektin institucional, por edhe përmes vënies në dispozicion të informacioneve, të dhënave dhe evidencave zyrtare që posedon. Këto të dhëna konsiderohen me rëndësi të veçantë për hartimin e raporteve të fizibilitetit sa më objektive, të argumentuara dhe të orientuara drejt nevojave reale të zhvillimit të komunave të rajonit.

U theksua se Agjencia Zhvillimore Rajonale e Perëndimit dhe "Haxhi Zeka" University“ tashmë kanë një marrëveshje bashkëpunimi, ndërsa Agjencia ka qenë e pranishme dhe aktive në aktivitetet e deritashme të ndërmarra në kuadër të FERD-it. Kjo përvojë e bashkëpunimit paraqet një bazë të rëndësishme për zgjerimin e partneritetit edhe në projektet e reja zhvillimore.

Nga ana e tij, z. Sokol Luta shprehu gatishmërinë që Agjencia Zhvillimore Rajonale e Perëndimit të vazhdojë të jetë një partner i fuqishëm i Universitetit “Haxhi Zeka” në nismat që synojnë zhvillimin ekonomik dhe institucional të rajonit. Ai vlerësoi gjithashtu se raportet dhe studimet që do të hartohen në kuadër të këtij projekti mund të paraqesin një burim të rëndësishëm informacioni dhe orientimi edhe për vetë Agjencinë në planifikimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të saj të ardhshme.

Takimi konfirmoi edhe një herë rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve funksionale ndërmjet universitetit dhe institucioneve zhvillimore, si parakusht për krijimin e politikave dhe projekteve të bazuara në të dhëna, njohuri shkencore dhe nevojat reale të zhvillimit ekonomik e shoqëror të rajonit të Dukagjinit.

Go to Top