Universiteti “Haxhi Zeka”, në bashkëpunim dhe me mbështetje të Programit SHER (Sustainable Higher Education and Research in Kosovo), organizoi sot punëtorinë e dedikuar rishikimit dhe hartimit të Statutit të Universitetit, një dokument kyç për funksionimin dhe zhvillimin institucional të universitetit.
Punëtoria u hap nga rektori i universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, dhe udhëheqësi i Programit SHER, z. Aqim Emruli, të cilët theksuan rëndësinë e procesit të rishikimit të Statutit në përputhje me ndryshimet ligjore, standardet evropiane të arsimit të lartë dhe objektivat strategjike të universitetit.
Rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi prezantoi realitetin aktual dhe vizionin zhvillimor të "Haxhi Zeka" University“, duke theksuar domosdoshmërinë e miratimit të Statutit të ri të Universitetit. Ai nënvizoi se statuti mbi të cilin bazohet aktualisht funksionimi i universitetit mbështetet në një model të hartuar para 24 vitesh, i cili nuk i përgjigjet më dinamikës së zhvillimeve në arsimin e lartë. Rektori theksoi se gjatë këtyre viteve kanë ndryshuar ndjeshëm standardet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), janë avancuar praktikat e qeverisjes universitare dhe është transformuar Hapësira Evropiane e Arsimit të Lartë, duke imponuar kërkesa të reja për cilësi, ndërkombëtarizim, kërkim shkencor, digjitalizim dhe autonomi institucionale. Në këtë kontekst, ai vlerësoi se Statuti i ri duhet të jetë në përputhje me këto zhvillime dhe të krijojë bazën ligjore për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit “Haxhi Zeka”.
Pjesa qendrore e punëtorisë iu kushtua prezantimit dhe shqyrtimit të draft-Statutit të Universitetit, i cili u prezantua nga eksperti i Programit SHER, Prof. Dr. Blerim Saqipi. Gjatë diskutimeve u analizuan rekomandimet e ekspertes dr. Kristiina Tonnisson dhe u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me organizimin, funksionimin dhe qeverisjen e universitetit.
Në sesionin përmbyllës, pjesëmarrësit diskutuan dhe dakorduan ndryshimet që do të inkorporohen në draftin e Statutit, duke përcaktuar gjithashtu hapat e mëtejshëm drejt finalizimit të dokumentit.
Me organizimin e kësaj punëtorie, "Haxhi Zeka" University” konfirmon përkushtimin e tij për të ndërtuar një statut modern dhe funksional, i cili do të mbështesë zhvillimin e universitetit, do të reflektojë ndryshimet në arsimin e lartë dhe do të krijojë një bazë të qëndrueshme për sfidat dhe prioritetet e së ardhmes.
#UniversitetiHaxhiZeka #UHZ #StatutiRi #SherKosovo #HigherEducation #ArsimiILarte #UniversityGovernance #AutonomiaUniversitare #CilesiaNeArsim #EuropeanHigherEducationArea #EHEA #Internationalization #ReformaNeArsim #AcademicExcellence #Kosovo





