Universiteti “Haxhi Zeka” vazhdon të forcojë orientimin e tij drejt zhvillimit institucional të bazuar në analiza, evidencë dhe ndërlidhje të drejtpërdrejtë me tregun e punës. Në këtë kuadër, reflektimi profesional i Dr. Sc. Anton Gojanit – një ndër ekspertët më të spikatur të arsimit në Republikën e Kosovës – vlerëson rëndësinë strategjike të studimeve mbi punësueshmërinë dhe zhvillimin profesional të alumni-ve si një nga mekanizmat më të avancuar të qeverisjes moderne universitare.
Sipas Dr. Gojanit, vlera më e madhe e këtyre hulumtimeve nuk qëndron vetëm në prodhimin e statistikave mbi të diplomuarit, por në krijimin e një kulture institucionale ku vendimmarrja akademike dhe strategjike mbështetet mbi evidencë empirike dhe jo vetëm mbi perceptime apo praktika tradicionale. Ai e konsideron këtë qasje si pjesë të modelit të njohur ndërkombëtarisht “Evidence-Based Policy Making (EBPM)”, ku universiteti funksionon si institucion reflektiv dhe adaptiv ndaj nevojave reale të shoqërisë dhe ekonomisë.
Në analizën e tij, Dr. Gojani thekson se universitetet moderne duhet të mësojnë nga përvoja e të diplomuarve të tyre, duke i shndërruar alumni-t në burim të rëndësishëm informacioni për cilësinë, relevancën dhe efektin e programeve studimore. Përmes këtyre proceseve identifikohen boshllëqet e kompetencave, fuqizohet orientimi në karrierë, rritet ndërlidhja ndërmjet kurrikulës dhe tregut të punës, si dhe forcohet integrimi i shkathtësive të buta si komunikimi, puna në ekip, mendimi kritik, lidershipi dhe adaptueshmëria.
Një dimension tjetër që ai e konsideron me rëndësi të veçantë është kalimi nga raportimet formale drejt përdorimit real të të dhënave për reformim të kurrikulave, zhvillim të praktikës profesionale, forcim të qendrave të karrierës dhe harmonizim të programeve me kërkesat e tregut të punës. Në këtë mënyrë, universiteti ndërton një cikël të vazhdueshëm institucional: mbledhje të dhënash, analizë, vendimmarrje, monitorim dhe përmirësim të vazhdueshëm.
Dr. Gojani vlerëson se praktika të tilla kontribuojnë drejtpërdrejt edhe në rritjen e transparencës, accountability-t institucional dhe besueshmërisë publike të universiteteve. Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë vetëm tek numri i studentëve të regjistruar, por mbi rezultatet reale të të diplomuarve dhe suksesin e tyre profesional pas diplomimit.
Njëkohësisht, ai nënvizon se të dhënat e gjeneruara nga studime të tilla kanë potencial të madh për të shërbyer jo vetëm për universitetet, por edhe për institucionet publike, ministritë, agjencitë e punësimit, donatorët dhe sektorin privat, duke e kthyer universitetin në prodhues të evidencës për zhvillim socio-ekonomik dhe për politika publike më efektive.
Në reflektimin e tij përmbyllës, Dr. Anton Gojani vlerëson se institucionalizimi i sistemeve të qëndrueshme për ndjekjen e alumni-ve, integrimi i indikatorëve të punësueshmërisë në planifikimin strategjik dhe publikimi periodik i raporteve të tilla përfaqësojnë hapa të rëndësishëm drejt afrimit të universiteteve kosovare me praktikat evropiane të quality assurance dhe data-driven governance në arsimin e lartë. Ai konsideron se iniciativa të tilla mund të shërbejnë si model për universitetet tjera publike në Kosovë dhe rajon.
Instituti për Shkencë dhe Arte (ISHA) i Universitetit “Haxhi Zeka” ka publikuar raportin hulumtues:“Hulumtim për Punësueshmërinë dhe Zhvillimin Profesional të të Diplomuarve (ALUMNI)”.
