Sot, në Fakulteti Juridik i Universitetit “Haxhi Zeka”, u mbajt Tryeza e Rrumbullakët Akademike dhe Institucionale me temën: “Siguria Juridike dhe Mbrojtja e Pronësisë si Faktor i Zhvillimit Ekonomik”, organizuar në kuadër të aktiviteteve akademike dhe institucionale të Universiteti “Haxhi Zeka”.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, profesorë universitarë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, ekspertë të fushës juridike, studentë dhe përfaqësues të sektorit publik e privat, të cilët diskutuan mbi rëndësinë e sigurisë juridike dhe mbrojtjes së pronësisë si elemente themelore për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Në emër të Universitetit “Haxhi Zeka”, tryezën e hapi Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e organizimeve akademike dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e çështjeve me interes për sistemin juridik dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ai potencoi rolin e Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Fakultetit Juridik në promovimin e debatit akademik, zhvillimin profesional dhe ndërlidhjen e akademisë me praktikën institucionale.
Po ashtu, në këtë tryezë morën pjesë edhe studiues dhe ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët ndanë përvoja dhe perspektiva akademike e profesionale lidhur me sigurinë juridike, mbrojtjen e pronësisë dhe rolin e institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Gjatë tryezës u trajtuan tema me rëndësi të veçantë, si:
- siguria juridike dhe mbrojtja e pronësisë;
- pronësia intelektuale dhe sfidat e piraterisë;
- sundimi i ligjit dhe zhvillimi i biznesit;
- efikasiteti i gjyqësorit në investime;
- roli i institucioneve në përmirësimin e klimës së biznesit;
- bashkëpunimi ndërmjet akademisë, shtetit dhe sektorit privat.
Panelistët ndanë përvoja profesionale dhe akademike, duke ofruar analiza dhe rekomandime konkrete lidhur me avancimin e sigurisë juridike, mbrojtjen efektive të pronësisë dhe krijimin e një klime më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe investime.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit nxorën konkluzione dhe rekomandime që synojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e praktikave juridike në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, në shenjë vlerësimi për pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë aktivitet akademik dhe institucional, pjesëmarrësve iu ndanë certifikata pjesëmarrjeje.



























