Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Komandanti i ri Rajonal i KFOR-it në Pejë viziton Universitetin “Haxhi Zeka”

Komandanti i ri Rajonal i KFOR-it në Pejë, Kolonel Federico Mora, zhvilloi një vizitë zyrtare në Universitetin “Haxhi Zeka”, ku u prit nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Kjo vizitë vjen në vazhdën e praktikës së rregullt të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit dhe KFOR-it, ku me rastin e çdo mandati të ri realizohen takime njohëse me institucionet vendore.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive. Rektori, Prof. Dr. Armand Krasniqi, prezantoi zhvillimet aktuale të Universitetit, duke vënë theks të veçantë në orientimin strategjik drejt konceptit të Universitetit 4.0, që synon ndërlidhjen e arsimit me inovacionin, teknologjinë dhe tregun e punës, si dhe fuqizimin e rolit të universitetit në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik.

Nga ana e tij, Kolonel Federico Mora prezantoi prioritetet e mandatit të tij dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet arsimore lokale.

Në këtë drejtim, KFOR-i mbetet një partner i rëndësishëm në zhvillimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Universitetin “Haxhi Zeka”, një nga institucionet e rëndësishme arsimore në fuqizimin e të rinjve dhe promovimin e vlerave të përbashkëta në Kosovë.

Në përfundim, u riafirmua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përmes aktiviteteve dhe iniciativave të përbashkëta në të ardhmen.

Go to Top