Gjatë pesë javëve të fundit, në pesë njësi akademike të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, studentë dhe të diplomuar morën pjesë aktive në trajnimin “Orientimi dhe eksplorimi në karrierë”, të cilin e përfunduan me sukses dhe u pajisën me certifikata përkatëse.
Trajnimi u organizua nga Zyra për Zhvillim të Karrierës e universitetit, në bashkëpunim me organizatën Syri i Vizionit në kuadër të projektit “E ardhmja e kohezionit”,që financohet nga GCERF.
Qëllimi i këtij programi ishte përgatitja e të rinjve për sfidat e tregut të punës, duke ofruar udhëzime për zhvillim profesional afatgjatë dhe duke i inkurajuar ata të identifikojnë dhe zhvillojnë potencialin e tyre personal dhe profesional.
Programi përfshiu pesë tema kryesore: orientimin në karrierë, zhvillimin e mendimit kritik dhe rolin e medias, digjitalizimin, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ndërmarrësinë. Përmes këtyre moduleve, pjesëmarrësit fituan njohuri të vlefshme dhe aftësi praktike për ndërtimin e një karriere të qëndrueshme.
Universiteti “Haxhi Zeka” shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar, si dhe për partnerët për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e këtij programi.

















