Pejë, 13 nëntor 2025 – Zyra Erasmus+ në Kosovë, në bashkëpunim me Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, mbajti sot një sesion informues për mundësitë e aplikimit në fondet dhe programet ndërkombëtare që ofron Erasmus+. Aktiviteti u zhvillua në Fakultetin e Biznesit, Salla A1, duke filluar nga ora 11:00.
Ky sesion u organizua në vazhdën e hapjes zyrtare të Thirrjes së Erasmus+ për vitin 2026, e cila u publikua më 12 nëntor 2025 nga Komisioni Evropian. Thirrja e re u ofron institucioneve të arsimit të lartë, organizatave rinore dhe institucioneve të trajnimit profesional në Kosovë mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar, mobilitet dhe zhvillim kapacitetesh.
Në hapje të takimit, Prof. Edmond Beqiri, Prorektor per bashkepunim nderkombetar dhe sigurim te cilesise përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të studentëve dhe stafit akademik në programet ndërkombëtare të bashkëpunimit, si një mundësi e vlefshme për ngritje profesionale dhe shkëmbim përvojash me universitete partnere evropiane.
Më pas, pjesëmarrësit morën një përmbledhje të shkurtër mbi dimensionin ndërkombëtar të programit Erasmus+, duke u njohur me mënyrat se si institucionet e arsimit të lartë në Kosovë lidhen dhe bashkëpunojnë përmes këtij programi. Diskutimi u zhvillua në formë interaktive, me përfshirjen e të pranishmëve për të ndarë njohuritë dhe pritjet e tyre ndaj programit.
Sesioni informues vazhdoi me prezantimin e veprimeve kryesore të programit Erasmus+, nga znj. Blerinë Zjaça, Menaxhere e Projektit në Zyrën Erasmus+ në Kosovë. Në këtë pjesë u trajtuan:
- International Credit Mobility
- Degree Mobility (Erasmus Mundus Action)
- Capacity Building in Higher Education (CBHE)
- Capacity Building in VET (CBVET)
- Jean Monnet Actions
- Virtual Exchanges
- ECHE dhe EUA
Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë dhe të ndajnë përvoja nga projektet e mëparshme, si dhe të eksplorojnë mënyra për forcimin e mobilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në të ardhmen.
Në fund të sesionit, u bë një prezantim i platformës EPALE (European Platform for Adult Learning in Europe) – platformë evropiane e dedikuar për mësimin e të rriturve dhe zhvillimin profesional të vazhdueshëm. Prezantimi theksoi rëndësinë e përfshirjes së universiteteve në rrjete dhe nisma që mbështesin arsimin gjatë gjithë jetës.
Ngjarja u mbyll me reflektime dhe ide konkrete për fuqizimin e pjesëmarrjes së Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” në programet Erasmus+ dhe projektet bashkëpunuese ndërkombëtare në të ardhmen.




