Në nder të Ditës Ndërkombëtare të Turizmit e cila shënohet më 27 shtator, Fakulteti i Menaxhimit në Turizëm, Hoteleri dhe Mjedis në kuadër të Universitetit “Haxhi Zeka” organizoi sot një aktivitet të veçantë për ta kremtuar këtë ditë të rëndësishme për sektorin e turizmit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të larta akademike, ndër të cilët Rektori i UHZ-së, prof. dr. Armand Krasniqi, Prorektorja për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje Studentore, prof. Alma Shehu Lokaj, si dhe Dekani i Fakultetit të Menaxhimit në Turizëm, Hotelieri dhe Mjedis, prof. dr. Adem Dreshaj, së bashku me personelin akademik dhe studentët e fakultetit.
Në fjalën e tij, Rektori Krasniqi falënderoi organizatorët për angazhimin dhe theksoi mbështetjen e universitetit për fuqizimin e kapaciteteve akademike dhe profesionale, sidomos në fushën e turizmit, hotelerisë dhe mjedisit. Ai potencoi se këto fusha kanë rol strategjik në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës.
Ndërkaq, Dekani Dreshaj nënvizoi përkushtimin e fakultetit për të ofruar programe studimore bashkëkohore, të lidhura ngushtë me nevojat e tregut dhe zhvillimin e turizmit në vend, duke vlerësuar edhe rolin e studentëve si ambasadorë të turizmit të qëndrueshëm.
Ky organizim shërbeu si një moment i rëndësishëm reflektimi dhe bashkëpunimi, duke nxjerrë në pah vlerën e turizmit si një motor zhvillimi ekonomik, kulturor dhe social, si dhe si një mundësi për ta vendosur Kosovën më fuqishëm në hartën turistike ndërkombëtare.



