Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

PROFESORI TARO KOMATSU VIZITON UNIVERSITETIN “HAXHI ZEKA” NË PEJË

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, profesori i njohur ndërkombëtarisht Taro Komatsu nga Universiteti Sofia në Tokio, Japoni, i shoqëruar nga dr. Neshad Albani i Rotary Club – Peja, zhvilloi një vizitë të veçantë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Profesori Komatsu u prit nga Rektori i UHZ-së, prof. dr. Armand Krasniqi dhe personeli i UHZ-së, i cili prezantoi vizionin, zhvillimet dhe arritjet e universitetit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Takimi u fokusua në rëndësinë e të drejtave të njeriut, rolin e tyre në shoqëritë demokratike dhe kontributin që universitetet mund të japin në ndërtimin e paqes dhe mirëkuptimit ndërkombëtar.

Rektori Krasniqi nënvizoi përkushtimin e universitetit për të krijuar një ambient ku studentët përgatiten jo vetëm profesionalisht, por edhe si qytetarë aktivë që mbrojnë vlerat e lirisë, tolerancës dhe bashkëjetesës. Ai theksoi se Universiteti “Haxhi Zeka” synon të jetë një qendër e dijes dhe e bashkëpunimit, ku akademia dhe shoqëria bashkohen në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës. Kjo qasje, theksoi rektorii Krasniqi, e vendos universitetin në rolin e një institucioni modern që jo vetëm transmeton dije, por edhe edukon breza që do të kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të paqes, solidaritetit dhe mirëkuptimit reciprok.

Në këtë vizitë u vu në pah edhe lidhja e hershme dhe e veçantë që profesori Komatsu ka me Kosovën dhe qytetin e Pejës, duke qenë i angazhuar në periudhën e pasluftës për të mbështetur proceset e paqes dhe afirmimin e të drejtave të njeriut. Ky angazhim u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm që e lidh profesorin ngushtë me historinë dhe rrugëtimin e vendit tonë.

Takimi u përmbyll me vlerësimin e vizitës së profesorit Komatsu si një mundësi të re për zgjerimin e bashkëpunimit akademik mes Kosovës dhe Japonisë, duke hapur horizonte të reja për ndërkombëtarizimin e Universitetit “Haxhi Zeka” dhe për forcimin e partneriteteve që sjellin zhvillim dhe progres.

Go to Top