Me propozim të rektorit, prof. dr. Armand Krasniqi, dhe me miratim të Këshillit Drejtues, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka themeluar “QENDRËN UNIVERSITARE PËR INOVACION DHE NDËRMARRËSI” – NOVA. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues më 19 shtator 2025.
Qendra NOVA do të funksionojë si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SH.P.K.), në pronësi të Universitetit, sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Sipas elaboratit të paraqitur nga rektori Krasniqi, themelimi i kësaj qendre përfaqëson një hap të rëndësishëm strategjik drejt realizimit të misionit të tretë të universitetit – promovimin e inovacionit, ndërmarrësisë dhe komercializimit të kërkimit shkencor.
Qëllimi i NOVA-s është të krijojë një strukturë të pavarur që do të nxisë bashkëpunimin me sektorin privat dhe publik, duke fuqizuar kështu rolin e Universitetit “Haxhi Zeka” në zhvillimin socio-ekonomik të rajonit dhe më gjerë. Ky vizion është i lidhur ngushtë me modelin e Heliksit të Trefishtë, ku universiteti, sektori publik dhe ai privat bashkëpunojnë për të gjeneruar ide të reja, për të nxitur inovacionin dhe për të krijuar vlera të qëndrueshme për shoqërinë.
Struktura financiare e qendrës është ndërtuar mbi një model të qëndrueshëm dhe të diversifikuar, që përfshin mbështetje institucionale fillestare, fonde publike dhe ndërkombëtare, si dhe gjenerimin e të ardhurave vetanake nga veprimtaritë profesionale dhe sipërmarrëse.
Themelimi i NOVA-s reflekton vizionin e universitetit për të qenë një motor transformues i inovacionit, profesionalizmit dhe integritetit institucional, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
