Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Universiteti “Haxhi Zeka” pret në takim pune delegacionin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore të Universitetit të Tetovës

Sot, në ambientet e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, Prof. Dr. Armand Krasniqi – Rektor i UHZ, së bashku me Prof. Dr. Ibrahim Hoxha – Dekan dhe Prof. Dr. Nexhdet Shala – Prodekan të Fakultetit të Agrobiznesit, pritën në një takim pune delegacionin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore të Universitetit të Tetovës, të përbërë nga:
Prof. Dr. Gafurr Xhabiri – Dekan, Prof. Dr. Xhezair Idrizi – Prodekan për mësim, Prof. Dr. Namik Durimishi – Shef i programit studimor dhe Mr. Sc. Durim Alija – Shef i programit studimor.

Rektori Krasniqi, duke mirëpritur delegacionin, shprehu konsiderata të larta për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy fakulteteve, si dhe i informoi mysafirët për dinamikat e zhvillimit, transformimit, misionit dhe vizionit të UHZ-së, veçanërisht në drejtim të modernizimit akademik dhe zgjerimit ndërkombëtar të bashkëpunimeve.

Gjatë takimit u konfirmua se të dy universitetet tashmë kanë të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërsa u vlerësua se ekziston një hapësirë e gjerë për thellimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërfakultetesh.

Nga ana tjetër, Dekani Xhabiri njoftoi rektorin Krasniqi për bashkëpunimet e mëparshme mes fakulteteve dhe theksoi se ky bashkëpunim jo vetëm që duhet të vazhdojë, por edhe të zgjerohet më tej në fusha me interes të përbashkët.

Në takim u diskutuan në mënyrë substanciale modalitetet e reja të bashkëpunimit, përfshirë:

  • mobilitetin e profesorëve dhe studentëve të të dy universiteteve,
  • pjesëmarrjen e ndërsjellë në kurset dhe programet e Universiteteve Verore,
  • zhvillimin e projekteve të përbashkëta hulumtuese,
  • si dhe mundësi të tjera për integrim akademik dhe shkencor.

Takimi u vlerësua si miqësor, konstruktiv dhe premtues, ku të dy dekanët u zotuan të avancojnë dhe zgjerojnë të gjitha format e bashkëpunimit akademik në shërbim të zhvillimit të dijeve dhe përfitimit të studentëve dhe stafit akademik të të dy universiteteve.

Idi na vrh