Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Universiteti “Haxhi Zeka” mbajti punëtorinë “Inovacioni, Zhvillimi i Projekteve dhe Startup-Idetë”

Universiteti “Haxhi Zeka”, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor të UNHZ-së, ka mbajtur punëtorinë akademike “Inovacioni, Zhvillimi i Projekteve dhe Startup-Idetë”, e cila u realizua më 12–14 qershor 2026, në Qendrën Rinore në Deçan.

Kjo punëtori kishte për qëllim fuqizimin e aftësive të studentëve për identifikimin e problemeve reale në komunitet dhe treg, zhvillimin e zgjidhjeve inovative, hartimin e projekt-propozimeve të zbatueshme dhe promovimin e kulturës së sipërmarrjes dhe startup-eve.

Gjatë tri ditëve të punëtorisë, studentët patën mundësi të marrin pjesë në ligjërata interaktive, punë në grupe, mentorim akademik, analizë të rasteve studimore, simulim të zhvillimit të projekt-ideve dhe prezantim të ideve të tyre para panelit akademik dhe profesional.Koordinator akademik dhe mentor kryesor i punëtorisë ishte Prof. Asoc. Dr. Ibrahim Krasniqi, me temën kryesore “Nga problemi në projekt të zbatueshëm”, ndërsa Prof. Asoc. Dr. Fisnik Morina ishte mentor për inovacion dhe zhvillim strategjik, me temën “Inovacioni si motor i krijimit të Startup-eve”.

Në kuadër të sesioneve të punëtorisë, pjesëmarrësit punuan në identifikimin e sfidave reale, gjenerimin dhe selektimin e ideve, modelimin e zgjidhjeve, krijimin e modeleve fillestare të startup-eve dhe hartimin e strategjive fillestare për hyrje në treg. Përmes këtij procesi, studentët zhvilluan projekt-ide me potencial për implementim praktik dhe për krijimin e iniciativave të reja sipërmarrëse.Në ditën e fundit u realizua prezantimi dhe mbrojtja e projekt-ideve të studentëve, si dhe tryeza akademike dhe profesionale me temën “Nga Ideja Studentore drejt Implementimit Praktik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”.

Në këtë tryezë u diskutua për potencialin e ideve studentore, nevojat reale të tregut, rëndësinë e bashkëpunimit universitet–biznes, zhvillimin e startup-eve studentore dhe mundësitë për mbështetje, pilotim dhe implementim të projekteve inovative.

Përmes kësaj punëtorie, Universiteti “Haxhi Zeka” dëshmoi përkushtimin e tij për të mbështetur zhvillimin profesional, kreativ dhe sipërmarrës të studentëve, duke krijuar hapësira konkrete për transformimin e ideve studentore në projekte të zbatueshme dhe iniciativa me ndikim në komunitet dhe treg.

Universiteti “Haxhi Zeka” falënderon Parlamentin Studentor të UNHZ-së, mentorët, pjesëmarrësit, përfaqësuesit e bizneseve dhe institucioneve partnere për kontributin dhe angazhimin e tyre në realizimin e suksesshëm të kësaj punëtorie.

Idi na vrh