Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Universiteti “Haxhi Zeka” diplomoi gjeneratën 2025/2026

Universiteti “Haxhi Zeka” organizoi Ceremoninë Solemne të Diplomimit të studentëve të gjeneratës 2025/2026, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në jetën akademike të studentëve dhe të universitetit.

Në praninë e familjarëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore e qendrore, ceremonia u zhvillua në një atmosferë festive dhe plot emocione. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Hajrulla Çeku, ish-Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, ish-Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, z. Taulant Kelmendi, Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, znj. Xhenet Syka, Kryesuesja e Këshillit Drejtues të Universitetit “Haxhi Zeka”, prof. dr. Emine Abdyli Pozhari, anëtarë të Këshillit Drejtues dhe Senatit të Universitetit, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partnerëve të universitetit.

Ceremoninë e hapi Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, prof. dr. Armand Krasniqi, i cili përgëzoi studentët për përfundimin me sukses të studimeve dhe theksoi rëndësinë e rolit të tyre në zhvillimin e shoqërisë dhe tregut të punës.Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili uroi të diplomuarit për arritjet e tyre akademike dhe i inkurajoi që njohuritë e fituara t’i vënë në shërbim të vendit dhe komunitetit.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, znj. Xhenet Syka, e cila vlerësoi kontributin e universitetit në zhvillimin e arsimit të lartë dhe përgatitjen e kuadrove të reja profesionale.

Në emër të menaxhmentit të universitetit, Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje Studentore, prof. asoc. dr. Alma Shehu Lokaj, vlerësoi përkushtimin, angazhimin dhe sukseset e studentëve gjatë rrugëtimit të tyre akademik.

Ceremonia u pasurua me një program artistik të veçantë, i cili i dha ngjarjes një atmosferë solemne dhe emocionuese. Sopranoja Adelina Paloja, profesoreshë në Universitetin “Haxhi Zeka”, interpretoi pjesë artistike të përzgjedhura, e shoqëruar në piano nga prof. Alba Muqolli Dehiri. Po ashtu, Kori i Fakultetit të Arteve, nën dirigjimin e prof. Astrit Pallaska, kontribuoi në pasurimin e programit artistik dhe në krijimin e një përjetimi të veçantë për të pranishmit.

Ceremonia kulmoi me ndarjen e diplomave për studentët e të gjitha njësive akademike të universitetit, si dhe me hedhjen tradicionale të kapelave, simbol i përfundimit të një etape të rëndësishme akademike dhe fillimit të një kapitulli të ri në jetën profesionale të të diplomuarve.

Universiteti “Haxhi Zeka” i uron të gjithë të diplomuarit shumë suksese në rrugëtimin e tyre të ardhshëm profesional dhe akademik.

Idi na vrh