Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

UNIVERSITETI “HAXHI ZEKA” DHE UNIVERSITETI I ARTEVE NË TIRANË ZGJEROJNË HORIZONTET E BASHKËPUNIMIT

Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, prof. dr. Armand Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, është takuar me rektorin e Universitetit të Arteve në Tiranë, prof. dr. Erald Bakalli.

Ky takim erdhi si vazhdim i marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve, por këtë herë me një vizion më të gjerë: rritjen e mobilitetit të studentëve dhe personelit akademik, si dhe organizimin e ngjarjeve të përbashkëta artistike dhe kulturore.

Në takim u diskutua që studentët dhe profesorët e UHZ-së të përfshihen në aktivitete të njohura të Universitetit të Arteve, si “Stina Koncertore”, me propozimin që studentëve dhe personelit të UHZ-së t’i dedikohet një natë e veçantë, ndërsa artistët e rinj të këtij universiteti të bëhen pjesë e “Javës Studentore” në UHZ, Pejë – duke krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimi kulturor.

Rektori Krasniqi theksoi se arti dhe kultura janë ura të fuqishme që lidhin komunitetet akademike dhe pasurojnë përvojën e studentëve: “Përmes projekteve të përbashkëta, ne jo vetëm që forcojmë marrëdhëniet ndëruniversitare, por i japim studentëve tanë hapësira të reja për krijimtari, bashkëpunim dhe afirmim ndërkombëtar.”

Takimi përmbylli me dakordimin për të hapur kapituj të rinj në këtë partneritet, duke e bërë artin dhe kulturën një dimension të fuqishëm të bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve.

Idi na vrh