Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë forcojnë bashkëpunimin me bizneset lokale në kuadër të projektit GreenWB

Në kuadër të projektit GreenWB, Universiteti Haxhi Zeka në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka zhvilluar një seri takimesh me disa nga bizneset më të mëdha në rajonin e Pejës.

Takimet u mbajtën me përfaqësues të bizneseve Elmont Residence, Cenaj Arkitekt, Elkos Group dhe EGI Group, me qëllim diskutimin dhe prezantimin e shërbimeve që ofron Laboratori i Qëndrueshmërisë i UHZ-së – Helixa, i themeluar si pjesë e Sustainable Living Labs.

Gjatë këtyre takimeve, përfaqësuesit e Universitetit “Haxhi Zeka” prezantuan kapacitetet dhe shërbimet e laboratorit Helixa, me theks të veçantë në mbështetjen e inovacionit, zhvillimin e produkteve dhe adoptimin e praktikave të qëndrueshme nga bizneset. Një ndër shërbimet kyçe të prezantuara ishte mundësia e printimit 3D të prototipeve, e cila u ofron bizneseve hapësirë për të dizajnuar, testuar dhe përmirësuar produkte të reja ose ekzistuese në përputhje me nevojat e tyre specifike.

Ky aktivitet synon të forcojë lidhjen ndërmjet sektorit akademik dhe atij privat, duke krijuar mundësi konkrete për transferim të njohurive, bashkëkrijim të zgjidhjeve inovative dhe përkrahje të transformimit të gjelbër të bizneseve në Kosovë. Universiteti “Haxhi Zeka”, përmes laboratorit Helixa dhe projektit GreenWB, vazhdon të pozicionohet si një partner aktiv për komunitetin e biznesit dhe zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.

Universiteti “Haxhi Zeka” dhe partnerët e projektit do të vazhdojnë me aktivitete të ngjashme, me synimin për të zgjeruar bashkëpunimin me sektorin privat dhe për të ndërtuar një ekosistem inovativ dhe të qëndrueshëm në nivel lokal dhe kombëtar.

Idi na vrh