Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

SOT NË UNIVERSITETIN “HAXHI ZEKA” NISI ZYRTARISHT VITI I RI AKADEMIK 2025/26.


Ky fillim i ri shënon jo vetëm hapjen e një kapitulli të rëndësishëm për studentët, por edhe një dëshmi të përkushtimit të pandërprerë të institucionit për arsim cilësor, inovacion dhe zhvillim profesional.

Me këtë rast, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Armand Krasniqi, i cili sot filloi zyrtarisht mandatin e tij të dytë në krye të institucionit, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, vizitoi dekanët e rinj të njësive akademike si dhe studentët e sapo regjistruar, duke u uruar një fillim të mbarë dhe të suksesshëm në rrugëtimin e tyre akademik.

Në fjalën e tij, Rektori Krasniqi theksoi se Universiteti “Haxhi Zeka” është dhe do të mbetet në shërbim të studentëve, duke i konsideruar ata si qendër të çdo veprimtarie institucionale. Ai u zotua se së bashku me të gjithë personelin akademik dhe administrativ, do të vazhdojë të krijojë kushte optimale për mësim, kërkim shkencor dhe zhvillim personal, duke u ofruar studentëve hapësira për të ndërtuar të ardhmen e tyre profesionale me kompetencë dhe integritet.

Rektori gjithashtu rikujtoi të arriturat e deritanishme të UHZ-së, duke nënvizuar investimet në cilësinë e programeve studimore, rritjen e bashkëpunimeve me universitete ndërkombëtare, si dhe projektet në funksion të fuqizimit të rolit të universitetit në komunitet. Ai i inkurajoi studentët që të shfrytëzojnë çdo mundësi që ofron Universiteti për të zgjeruar horizontet e tyre akademike, profesionale dhe shoqërore.

Ky fillim i vitit të ri akademik u shoqërua me një atmosferë entuziazmi, energjie pozitive dhe besimi të madh se Universiteti “Haxhi Zeka” do të vazhdojë të mbetet një ndër shtyllat kryesore të arsimit të lartë në vend, duke i përgatitur gjeneratat e reja për sfidat e së ardhmes.

Idi na vrh