Preskoči na sadržaj Preskoči na bočnu traku Preskoči na podnožje

rezultatet e projektit të realizuar në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe Canadian Institute of Technology

Më 7 maj 2026, në ambientet e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, u prezantuan rezultatet e projektit të realizuar në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe Canadian Institute of Technology, në kuadër të të cilit janë trajtuar potencialet dhe mundësitë e bashkëpunimit ndëruniversitar në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të projektit janë prezantuar gjetjet lidhur me legjislacionin dhe dokumentacionin tjetër ligjor dhe rregullues në fushën e arsimit të lartë në disa vende të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Në bazë të gjetjeve është konstatuar se shumica e dokumenteve që lidhen me arsimin e lartë në këto vende nuk janë të përditësuara dhe se kërkohet një angazhim më i madh për përmirësimin e legjislacionit dhe harmonizimin e rregulloreve me Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Po ashtu, u prezantuan gjetjet nga analiza statistikore, të cilën e paraqiti prof. asoc. dr. Llambi Prendi, dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në lidhje me statistikat e nxjerra nga pyetësorët mbi kontributin e projekteve shkencore që realizohen në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin e tyre në të mirën e shoqërisë. Në këtë kuadër, një kontribut të rëndësishëm në mbledhjen e mbi 550 pyetësorëve dha prof. dr. Ermira Qosja.

Nga dr. Oliana Sula u prezantuan, përveç dokumentacionit përkatës, edhe gjetjet që tregojnë se shumica e universiteteve në rajon nuk i kushtojnë rëndësi të mjaftueshme misionit të tretë të universitetit. Sipas saj, në statutet dhe rregulloret zyrtare të universiteteve mungon trajtimi i këtij misioni si kapitull i veçantë.

Ndërkaq, dr. Luftim Cania theksoi se në kuadër të projektit janë organizuar disa fokus-grupe dhe se rezultatet e tyre janë shfrytëzuar për të identifikuar mundësitë e bashkëpunimit dhe krijimit të projekteve të reja në hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të aktivitetit u zhvillua një debat lidhur me gjetjet dhe rezultatet e projektit, ndërsa u prezantua nga PhD (c) Denis Xheleku edhe një uebfaqe origjinale e krijuar nga Canadian Institute of Technology, e cila do të mund të shfrytëzohet për zhvillimin e projekteve të ardhshme. Nga diskutimet u konstatua se ekzistojnë mundësi të shumta për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe për aplikim në programe ndërkombëtare si Erasmus+ dhe Horizon Europe, të cilat financojnë projekte në arsimin e lartë.

Nga delegacioni nga Shqipëria në projekt morën pjesë dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. asoc. dr. Llambi Prendi, prof. dr. Ermira Qosja, dr. Oliana Sula, dr. Luftim Cania, PhD (c) Denis Xheleku dhe përfaqësues të tjerë të Canadian Institute of Technology, si dhe dr. Bledar Komina, drejtues i projektit, i cili moderoi të gjithë prezantimin.

Delegacioni u prit nga prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin “Haxhi Zeka”, prof. dr. Edmond Beqiri, prorektorja për mësim, shkencë dhe studentë, prof. asoc. Alma Shehu-Lokaj, dekani i Fakultetit të Biznesit, prof. asoc. Ylber Januzaj, prodekani i Fakultetit të Biznesit, prof. ass. Driton Zylqja, prodekanja e Fakultetit të Biznesit, prof. asoc. Suada Ajdarpašić, anëtarja e Këshillit Drejtues të Universitetit “Haxhi Zeka”, profesoresha Mersiha Kalac-Kacamaković, anëtari i Senatit të Universitetit “Haxhi Zeka”, prof. ass. Bashkim Nurboja, prof. ass. Zijad Sabotić, profesorë të tjerë nga Fakulteti i Biznesit, si dhe disa studentë të angazhuar në projekte të ndryshme të universitetit dhe staf tjetër mbështetës i universitetit.

Idi na vrh